Kryeministri britanik Boris Johnson tha të mërkurën se ka rënë dakord për marrëveshje të reja me Suedinë dhe Finlandën për ta forcuar sigurinë europiane, duke u zotuar se do t’i mbështesë forcat e armatosura të të dy vendeve nëse ato sulmohen nga Rusia, raporton Reuters.
Johnson do të nënshkruajë deklaratat e reja, të përshkruara nga Britania si “një hap-ndryshim në bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë”, gjatë vizitave në Suedi dhe Finlandë të mërkurën.
Ajo që ne po themi, në mënyrë të prerë, është se në rast të një fatkeqësie ose rasti të një sulmi ndaj Suedisë, atëherë Mbretëria e Bashkuar do t’i vinte në ndihmë Suedisë me çdo gjë që Suedia do të kërkonte”, tha Johnson pas takimit me kryeministren suedeze Magdalena Andersson.
Pushtimi rus i Ukrainës ka detyruar një rimendim se si Suedia dhe Finlanda fqinje do ta mbrojnë sigurinë kombëtare.
“Në kohë krize, bashkëpunimi bëhet edhe më i rëndësishëm”, u tha Andersson gazetarëve në një konferencë me Johnson.
“Nëse secili vend do të pësojë fatkeqësi ose ndonjë sulm, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia do të ndihmojnë njëra-tjetrën në mënyra të ndryshme. Mbështetja do të jepet sipas kërkesës nga vendi i prekur dhe mund të përfshijë burime ushtarake”.
Suedia dhe Finlanda kanë marrë gjithashtu garanci për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.