Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe Ivica Daçiq, si duket i kanë shpallur “luftë” Shaip Kamberit nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës.

Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shqyrtuar kërkesën e partisë SPS-së të Daçiqit dhe kanë vendosur që t’i përsërisin zgjedhjet në Tërnoc.

Tërnoci shihet si vendi ku Kamberi fitoi votat që i mundësuan Kamberit të rizgjedhet deputet në kuvendin serb.

Kamberi ka thënë se dyshja Vuçiq e Daçiq po vazhdojnë t’i përjashtojnë shqiptarët nga institucionet shtetërore.

“Pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore. Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit. Përderisa ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai ka thënë se mekanzimat shtetërorë të SNS dhe SPS po përfshihen edhe në përjashtimin e shqiptarëve nga vendimmarrjet në komunat e Luginës.

“Keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarjet e Komunave të Luginës. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se Serbia nuk do shqiptarë në institucione. Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej organeve jokomunale, Qeveria e Serbisë po integrohet çdo herë e më shumë në pushtetet komunale të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen”, ka përfunduar Kamberi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *