Luani i cili para disa kohësh mbahej në kafazin e pronarit të një restauranti, tani po mbahet në Strehimoren “Pylli i arinjëve”, jo shumë larg nga Prishtina. Deri tani ai është mbajtur në hapësirë adekuate të mbyllur, kurse tani i është përshtatur një sipërfaqe e caktuar në “Pyllin e arinjëve”, në hapësirë të jashtme.
Më poshtë gjeni njoftimin e Strehimores “Pylli i arinjëve”:
“Luani Gjoni – Është liruar në hapësirë të jashtme!
Kjo krijesë e bukur përkohësisht është duke qëndruar tek PYLLI I ARINJVE Prishtina, tani ka mundësinë për të shijuar hapësirën e tij të jashtme . I shpëtuar në fund të muajit mars, Gjoni dalëngadalë po mësohet përsësi të jetojë si një luan! Që kur ka arritur tek strehimorja jonë kujdestarët tanë kanë qenë të angazhuar intenzivisht që të përgatisin hapsirën e jashtme për të. Në mëngjesin e 4 majit, erdhi momenti i shumëpritur për Gjonin. Ju desht ca kohë që të merrte guximin për të bërë hapat e parë në bar të freskët dhe në dheun e hapsirës së tij të jashtme. Ky është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm për të derisa ai të mësohet me hapsirën e jashtme, por ne jemi të sigurtë që Gjoni shumë shpejt do të ndihet më i relaksuar.
Fatmirësisht moti me diell , mjedisi i qetë dhe lojërat që kujdestarët tanë i përgatisin do ta ndihmojnë që shumë shpejt Gjoni t’i tejkalojë traumat nga e kaluara e tij.
Sido që të jetë, PYLLI I ARINJVE Prishtina nuk është destinacioni përfundimtar i Gjonit. Ne po vazhdojmë të punojmë që ai të zhvendoset në njërën prej strehimoreve për macet e mëdha të FOUR PAWS, ku ai do ta shijojë jetën e tij në një mjedis të përshtatshëm për llojin e tij
Vazhdoni të na ndiqni për lajmet e reja rreth Gjonit!