Insajderi ka raportuar sot se një shumë prej rreth 10 milionë euro të shtetit të destinuara për blerjen e produkteve për rezervat shtetërore, dyshohet se janë “zhdukur”. Sipas këtij mediumi, në shkrimin me titull “Skandali i madh i ministres Rozeta Hajdari; Zhduken rreth 10 milion euro te destinuara për rezervat shtetërore”, thuhet se malli që është blerë për rezerva nuk ka arritur në Kosovë, ndërsa kompania nga e cila është blerë ky mall është “zhdukur”.
Por nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT), të cilën e drejton Ministrja Rozeta Hajdari thuhet se artikulli paraqet shpifje dhe se ndaj mediumit do të ndërmerren hapa ligjor.
Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të Ministrisë:
“Njoftim
Ju njoftojmë se lidhur me artikullin e publikuar në portalin Isajderi, me titullin “Skandali i madh i ministres Rozeta Hajdari; Zhduken rreth 10 milion euro te destinuara për rezervat shtetërore”, njoftojmë opinionin publik se përmbajtja e këtij artikulli është e pavërtetë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinionin e gjerë se rezervat shtetërore janë siguruar sipas planifikimit të projektuar.
Me planifikim nga MINT dhe financim nga buxheti kombëtar, janë siguruar furnizime me produktet esenciale të rezervës shtetërore në sasi të konsiderueshme gjatë vitit 2022.
Rezerva e shtuar gjatë fillim vitit 2022, veçse ka arritur në Kosove dhe është vendosur në lokacionet e aranzhuara për rezervën shtetërore.
Raportime të pavërteta si kjo janë të dëmshme për sigurinë publike, andaj Ministria e Industrisë Ndërrmarrësisë do të ndjekë rrugët ligjore.”