Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF), “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë sivjetë janë paraqitur 101 persona të pickuar nga rriqërat, ka bërë me dije sot për “Press Online”, Adem Hoti, koordinator i sistemit informativ shëndetësor në këtë qendër.

Rasti i parë gjatë këtij viti merret vesh se është paraqitur më 30 mars.

Koordinatori Hoti ka njoftuar se rastet më të shumta të paraqitjes për ndihmë mjekësore shkaku i pickimit nga rriqërat të cilët shkaktojnë ethet hemorragjike krime-kongo, deri tani kanë qenë nga qyteza e Malishevës, pastaj nga Drenoci, Carralluka dhe Dragobili.

Ai ka theksuar se deri tani nuk ka patur ndonjë rast të rëndë infeksioni tek të pickuarit nga rriqërat dhe se situata është nën kontrollë. PËr rrjedhojë nuk ka patur ndënjë rast udhëzimi për hospitalizim në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë. Qytetarët e atakuar nga insekti vdekjeprurës, sipas Hotit kryesisht paraqiten në QKMF për t’i hequr ata, por ka edhe raste kur vet i heqin nëpër shtëpi.

Hoti dhe stafi mjekësor i Malishevës bëjnë apel tek qytetarët që në momentin që vërejnë praninë e rriqërave në trupin e tyre të paraqiten në qendrat mjekësore për trajtim adekuat profesional.

QKMF e Malishevës dhe stafi i saj mjekësor, marrë parasysh se kjo komunë ka patur probleme të vazhdueshme me ethet hemorragjike, janë të njohur për efikasitet dhe shërbim deri në përsosmëri në trajtimin e personave të atakuar nga rriqërat.

Personat e paraqitur për ndihmë mjekësore pasi u hiqen rriqërat, udhëzohen nga personeli mjekësor për bërjen e analizave dhe përcjelljen e gjendjes për 2 javë, pas të cilave konsiderohet se është tejkaluar emërgjenca.

Në Komunën e Malishevës pas luftës kanë vdekur rreth 20 persona si pasojë e pickimit nga rriqërat dhe ethet hemorragjike.

Nga viti 2013 fatbardhësisht rrezikshmëria nga ky virus ka pësuar rënie. Gjatë 9 viteve të fundit në këtë komunë ka ndodhur vetëm një rast i vdekjes i vdekjes nga ethet hemorragjike krime-kongo./Press Online/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *