Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale.
Gucati është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, si dhe me 100 euro gjobë.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara, Trupi Gjykues, ju shpall ju fajtor për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacionit të fshehtë, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, u tha në aktgjykim.
Edhe drejtuesi tketër i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale.
Nasim Haradinaj është dënuar poashtu me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, si dhe me 100 euro gjobë.
Sipas trupit gjykues, Gucati e Haradinaj qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët.
Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.