Vadym Shishimarin, 21 vjeç, ushtari i parë rus, në gjyq për një krim lufte në Ukrainë që kur Rusia filloi luftën e saj gjithëpërfshirëse më 24 shkurt në gjykatën e Kievit ka dalë sot sërish para trupit gjykues.
Disa ditë pasi ushtari rus Vadym Shishimarin, 21 vjeç, u deklarua fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur, avokati i tij kërkoi që i pandehuri të lirohej.

“Ai nuk e mohon që ka qëlluar. Megjithatë ai nuk e dinte nëse e vrau këtë person, ” u tha avokati Viktor Ovsyannikov gjyqtarëve gjatë ditës së tretë të procesit gjyqësor.

“Nëse ai e kishte kuptuar këtë, çfarë kuptimi kishte që ai të dorëzohej?” shtoi Ovsyannikov.

Shishimarin, një rreshter në ushtrinë ruse, akuzohet për vrasjen e 62-vjeçarit Oleksandr Shelipov ndërsa njësia e tij po tërhiqej nga rajoni Sumy verior i Ukrainës.

Shishimarin e qëlloi në kokë. Më 18 maj, ai u deklarua fajtor dhe tha se ishte gati për çdo dënim. Tani, mbrojtja e ushtarit thotë se ai ishte urdhëruar të qëllonte nga eprori i tij dhe nuk kishte ndërmend të vriste.

Sipas Ovsyannikov, Shishimarin u urdhërua të qëllonte Shelipov nga eprorët dhe duhej të bindej.

“Atij iu bë presion nga dy persona që ai i perceptonte si komandantët e tij në atë rrethanë,” tha Ovsyannikov.

Ovsyannikov shtoi se Shishimarin nuk donte të vriste Shelipovin.

“Ai nuk kishte ndërmend ta vriste. Të shtënat e tij nuk ishin të drejtuara. Ai ka zbatuar urdhrin pro forma, jo me qëllimin për të vrarë një person,” vazhdoi avokati.

“Sinqerisht pendohem për atë që bëra. Në atë moment isha nervoz, kishte armiqësi. Nuk doja të vrisja. Por ndodhi…”, tha Shishimarin, duke kërkuar edhe një herë falje.

Prokurorët, megjithatë, argumentuan se Shishimarin nuk duhej t’u bindej urdhrave që vinin nga shokët e tij ushtarë, pasi ata ishin nga një njësi tjetër, dhe ai nuk ishte vartësi i tyre.

“Nuk ka asnjë klauzolë në rregulloret ushtarake të Federatës Ruse që thotë se një ushtar mund të vrasë një civil,” tha prokurori Yaroslav Ushyapivskiy.

“Shishimarin e kuptoi që urdhri ishte për të vrarë atë njeri dhe prapëseprapë e kreu atë, duke qëlluar me automatik tre ose katër herë,” shtoi prokurori.

“Ai vrau qëllimisht një civil,” vazhdoi Ushyapivskiy.

Gjykata do të marrë vendimin më 23 maj.

Ovsyannikov, megjithatë, tashmë po përgatitet të apelojë, duke shtuar se nëse do të jetë e nevojshme, ai do ta çojë çështjen e Shishimarin në një gjykatë evropiane.

 

Serhiy Agafonov, gjyqtarnë rastin e ushtarit rus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *