Rasti u denoncua nga nëna, (emër i njohur për redaksinë), e cila mes lotësh ka rrëfyer në Polici se si ra pre e mashtruesit, i cili në emër të “ndihmës”, ia mori shumën prej 20 mijë eurosh nga llogaria bankare e saj, raporton Gazeta Sinjali.

Në deklaratën e saj të dhënë në Polici thuhet se fillimisht i dyshuari ishte prezantuar si një person që dëshiron ta ndihmojë për shërimin e djalit të saj, i cili vuan nga një sëmundje e zemrës dhe e kishte udhëzuar t’i dërgojë mesazhe për t’ia mundësuar atij t’a ofrojë ndihmën.

Nëna e mërzitur dhe me shpresë se së shpejti do t’i mbledh të gjitha mjetet për ta dërguar djalin për shërim jashtë vendit, pa një pa dy, veproi siç ia kërkoi mashtruesi dhe ia dërgoi të dhënat që i kërkoi. Por kjo i kushtoi shumë.

‘Të dhënat’ që ia kërkoi mashtruesi nënës nga Prishtina ishin në fakt mesazhe konfirmimi, që i shkonin në numrin e saj të telefonit dhe kishin të bënin me blerje të cilat i kishte kryer i dyshuari, përmes llogarisë së saj, shkruan Sinjali.

Viktima e kuptoi se ra pre e mashtrimit tek gjatë ditës së djeshme, kur e vërejti se veprimet e saj ia mundësuan mashtruesit t’ia merrte paratë e mbledhura për shërimin e djalit.  

Si rezultat i denoncimit, Prokurori ka dhënë urdhër për fillimin e hetimeve dhe inicimin e rastit si “Ndërhyrje në sistemin kompjuterik dhe Mashtrim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *