Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën për “gjenocid” në provincën lindore të Donbasit, ku qyteti i Severodonetsk po vuan nga bombardimet ruse, raportoi të premten BBC.

“Ata duan që Donbasi të digjet, ata duan që ai të jetë i pabanueshëm”, tha Presidenti Zelensky, i cili në një fjalim të natës përshkroi pozicionin e vështirë të Ukrainës në lindje të vendit.

Forcat ruse po i afrohen qyteteve të rëndësishme strategjike të Severodonetsk dhe Lisichansk, në një përpjekje për t’i rrethuar dhe shkatërruar mbrojtësit ukrainas.

Zelensky nuk i akuzoi forcat e armatosura ruse vetëm se po përpiqeshin të shkatërronin forcat ukrainase. Ai sugjeroi se pushtimi rus ishte gjenocid, dhe pretendoi se viktimat e vrasjeve ishin kryesisht civilë.

Ai akuzoi Bashkimin Evropian për mungesë vendosmërie në miratimin e sanksioneve. Paketa e gjashtë e masave nuk duket se do të miratohet kurrë, kryesisht sepse përfshin një embargo ndaj naftës ruse, të cilën Hungaria e kundërshton.

Bashkimi Evropian i dërgon Moskës gati një miliard euro në ditë për naftë dhe gaz – para që Presidenti Zelenski pretendon se financojnë pushtimin e vendit të tij.

BBC raporton se tre shpërthime u dëgjuan gjatë natës në qytetin e Dnipros, ku ekipet e shpëtimit po kërkojnë njerëz në rrënoja.

Kryebashkiaku tha se banorët pësuan “një natë të shqetësuar dhe një mëngjes të shqetësuar”.

Nëntë persona, duke përfshirë një foshnjë, u vranë në granatimet e një qyteti tjetër ukrainas, Kharkiv, të enjten, shton BBC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *