Sot është 33 vjetori i rënies së heroit Ali Ajeti nga fshati Sveçël i Podujevës. Aliu ra në një betejë direkte me forcat policore serbe në fshatin Shtedim të Podujevës pas demonstratave kundër regjimit serb.

Ali Ajeti u lind në fshatin Sfeçël të komunës së Podujevës. Ai qysh herët u nis rrugës së lirisë dhe ishte i dalluar në aktivitetet për çlirimin e vendit. Qysh si fëmijë, si nxënës i shkollës njihej për një temperament, për një qëndrim personal e mos bindës ndaj asaj që e konsideronte se ishte jo e drejtë. Aty për aty e shprehte pakënaqësinë e tij, reagonte me të gjitha mjetet për ta realizuar të drejtën edhe personale edhe kolektive. Ngjarjet historike dhe demonstratat e vitit 1981 Aliun do ta gjejnë të angazhuar me gjithë qenien e tij me grupet e studentëve, në aktivitetet për të cilat ishte angazhuar që në fillim. Punonte me një elan të madh rinor, me përkushtim për çështjen madhore të Kosovës, duke organizuar demonstratat e aksionet më të ndryshme që zhvilloheshin në atë kohë, dhe të cilat kurrë nuk zbuloheshin nga ai. Ali Ajeti ishte nga veprimtarët politik që i kishin dhënë emër kërkesave të shqiptarëve në Kosovë që nga pranvera e vitit 1981 e 1982 me demonstratat masive. Ai vuajti rreth 4 vite burg politik, gjatë të cilave dëshmoi një qëndrim stoik. Shokët e burgut e përshkruajnë atë si parimor e të pakompromis me autoritetet e burgjeve e hetuesit serbë.

“Aliu ishte një i burgosur politik i cili të vetmin preokupim e kishte çështjen kombëtare. Ai as që merrte pjesë në biseda e debate eventuale në tema të tjera, ishte rast i rrallë të shihje një të ri me këso orientimi kaq të fuqishëm kombëtar”, tregon njëri nga shokët e tij të dhomës.

“Aliu ishte largpamës, ai që në vitet e tetëdhjeta kur shumë prej nesh e shihnim si idol të padiskutueshëm Enver Hoxhën, ai e kritikonte atë për mbylljen e Shqipërisë ndaj botës”, e përshkruan një tjetër i burgosur politik.

“Vetë figura e Aliut ishte tmerr për autoritetet serbe dhe disa servilë shqiptarë aty”.

Ali Ajeti pas vuajtjes së burgut politik 1984 – 1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për të u sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Ai i takonte një grupi të organizuar dhe të armatosur të cilët organizonin demonstrata dhe sulme mbi okupuesit. Ky grup më vonë (dhjetor 1989) u quajt “Çeta e Llapit” . Para 33 vitesh dëshmori i kombit Ali Ajeti u bë theror lirie. Ali Ajeti ishte sinonim i trimërisë, i devotshmërisë për atdheun, i vetëmohimit, përkushtimit dhe sakrificës. Ai që nga rinia e hershme e tij ishte përcaktuar për luftë të pa kompromis kundër pushtuesit dhe nuk u ndal asnjëherë. Nga rruga e lirisë nuk mundën ta ndalin as burgjet, as ndjekjet, as vuajtjet as rreziqet. Nga rruga e lirisë e ndalën fizikisht vetëm plumbat e policisë vrastare të okupatorëve para 33 viteve. Armiqtë, me plumba e ndalën jetën e tij, por jo idealin e tij – çlirimin e Kosovës. Për trimin, Aliun e Çetës, gjithë ata që bën atë çfarë kërkoi koha e konteksti historik, janë vulat e bëmave dhe dëshmia e vendosmërisë për të qenë me identitet, njësoj si gjithë të tjerët.

Më 30 maj 1989 Ali Ajeti në luftë me forcat serbe bie heroikisht në fshatin Shtedim të Besianës.

Demonstrata e 30 majit 1989 u shua me gjak. Në këtë demonstratë në mbrojtje të rinisë shkollore ra në fushën e nderit heroi Ali Ajeti. Vrasja e Ali Ajetit ishte e organizuar dhe jo e rastësishme. Policia dhe ushtria serbe ishin vënë në ndjekje deri në likuidim fizik të njerëzve që kishin guxuar të brohoritnin “Vetëvendosje” , “Kosova Republikë”, “Liri – Barazi – Demokraci” etj. E dhimbshme ishte dita e 30 Majit të vitit 1989 për të gjithë veprimtarët dhe për gjithë shqiptarët kur dëgjuam për rënien heroike të Ali Ajetit.
Të gjithë ata që patën fatin dhe rastin ta njohin e dinë se Aliu jetonte për të luftuar, jetonte për të bërë ndryshime, ndonëse nuk arriti që të rreshtohet në radhët e UÇK angazhimi i tij dhe sakrifica e tij sublime më shumë se një dekadë para se të themelohet UÇK-ja, është pjesë e parahistorisë së saj. Me shembullin dhe frymëzimin e marrë nga dëshmorët si Ali Ajeti, Afrim Zhitija, Fahri Fazliu, etj në radhët e UCK u rreshtuan me qindra e mijëra djem e vajza të trevës së Llapit dhe të tërë Kosovës.

Sot emrin e këtij heroi e mbajnë shkolla në fshatin e lindjes në Sfeqël aty ku i mori mësimet e para. Po ashtu emrin e tij e mbajnë edhe rrugë, shoqata humanitare, kulturo-artistike, etj.

Lavdi e përjetshme heroit ALI AJETI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *