I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë lidhur me çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Escobar në një fjalim online në Samitin e Demokracisë në Europën Juglindore, shfaqi shpresën se Serbia do t’i bashkohet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe do të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas formimit të qeverisë së re.

“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord në një farë mënyre që ta bëjnë Rusinë të paguajë çmimin për atë (pushtim) përmes sanksioneve, përmes mbështetjes për Ukrainën dhe popullit të saj. Shpresoj se Serbia do t’i bashkohet atij grupi dhe se do të harmonizohet me sanksionet kur të formojë qeverinë”, tha Escobar.

Ai ka deklaruar që pret se Serbia do të vendosë sanksione ndaj Rusisë menjëherë pas formimit të Qeverisë.

Sipas fjalëve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kjo mund të ndodhë në fund të korrikut.

Beogradi zyrtar është arsyetuar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, me mbrojtjen e interesave jetike të vendit, e po ashtu edhe me mosformimin e institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *