Zyrtari i LDK-së Faton Bislimi ka publikuar një foto përmes së cilës ka njoftuar për një shqiptare që është mirëpritur nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e tij të plotë:
“Kjo është Besa, e cila dje ishte mirëpritur nga Presidenti Biden, e për të cilën, ja cfarë kisha shkruar më 22 Maj 2021:
Njihuni me Besa Tafilaj Pinchotti e cila sapo është zgjedhur Drejtoreshë Ekzekutive (CEO) e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association). Besa, është e bija e aktivistit të mirënjohur të kauzës sonë kombëtare në SHBA, dhe mikut tim të pazëvendësueshëm, z. Ramiz Tafilaj dhe znj. Diana Tafilaj. Lindë e rritë në Houston të Teksasit, Besa ka përfunduar studimet universitare ne University of Texas për gazetari e biznes, kurse magjistraturën në University of North Carolina. Para se t’i bashkangjitej NMFA-së para gati një dekade si Drejtoreshë për Avancim, Besa kishte bërë një karierë të suksesshme si gazetare dhe prezentuese televizive, duke qenë edhe autore e disa raportimeve ekskluzive për luftën në Kosovë në TV-te amerikane! E martuar me David J Jr Pinchotti një oficer i Marine Corps të Shteteve të Bashkuara, ajo është edhe nënë e përkushtuar e Lirës, Zanës, dhe Lorikut!
NMFA është organizata më e çmuar e familjeve të pjesëtarëve të forcave të armatosura të SHBA-ve e themeluar me 1969, e cila gëzon respekt të jashtëzakonshëm jo vetëm tek populli amerikan, por edhe tek institucionet shtetërore në Washington, DC dhe kudo nëpër Amerikë!
Zgjedhja e Besës në këtë post të rëndësishëm është mburrje e krenari për familjen e nderuar Tafilaj, por edhe për gjithë kombin tonë!”