Të paktën tre persona u vranë të mërkurën në një spital në Tulsa, Oklahoma, në jug të Shteteve të Bashkuara, tha policia atje, duke shtuar se sulmuesi ishte i vdekur.
“Ne mund të konfirmojmë se katër persona kanë vdekur, duke përfshirë edhe sulmuesin”, tha policia lokale në Twitter pas të shtënave në spitalin e Shën Françeskut.
Më herët, u raportua se policia kishte ndërhyrë “gjatë pasdites” pasi një “burrë me pushkë” hyri në ndërtesën e spitalit.
“Policia aktualisht po kontrollon të gjitha dhomat në ndërtesë për të eliminuar një kërcënim të mundshëm,” shtoi policia në një deklaratë, duke thënë se “disa njerëz u plagosën”.
“Sulmuesi vrau veten”, tha këshilltari i qytetit Jayme Fowler për televizionin lokal.
“Tre kalimtarë të pafajshëm humbën jetën”, shtoi ai.
“Presidenti i SHBA Joe Biden është njoftuar për të shtënat”, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se po monitoron nga afër situatën dhe u ka ofruar autoriteteve lokale të gjithë ndihmën që u nevojitet.
Të shtënat vijnë pak më shumë se një javë pas masakrës së shkollës në Uvalde, Teksas, ku një 18-vjeçar vrau 19 fëmijë dhe dy mësues. Të shtënat masive në vende publike janë një plagë që autoritetet amerikane deri më tani nuk kanë arritur ta shërojnë.