Një aksident treni në Sllovaki afër komunës së Streçnos të premten mbrëma ka lënduar 74 persona, njoftoi policia në rrjetet sociale.
Aksidenti ndodhi kur një tren me rreth njëqind pasagjerë pranë Streçnos në veriperëndim të vendit u ndal për shkak të një mosfunksionimi dhe më pas u godit nga një lokomotivë që po i shkonte në ndihmë.
Sipas mediave, policia përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se po hetohet për shkakun e aksidentit, ku thuhet se 59 persona kanë mbetur të lënduar lehtë, 11 kanë pësuar lëndime mesatare dhe katër të rënda. 34 persona u transferuan në spitalet e afërta.
Drejtuesit e automjeteve u nxitën nga policia që të shmangin afërsinë e vendit të përplasjes e cila është afër një kryqëzimi të rëndësishëm hekurudhor, ku linjat nga brendësia në Bratislavë takohen me ato të Çekisë fqinje.