Shtetasi britanik Zohar Collins, 21 vjeç humbi jetën më 1 qershor pasi ra nga kati i tretë i një hoteli në Dhërmi ku po qëndronte.
Studenti i fizikës i Universitetit të Leeds-it kishte udhëtuar me miqtë në Dhërmi, një qytet turistik në rivierën shqiptare, pasi mbaroi vitin e tretë të universitetit. Megjithatë, ky udhëtim rezultoi fatal, pasi në gjendje të dehur ai u rrëzua nga kati i tretë, ndërsa vdiq rrugës për në spital.
Shoku i tij ka folur për mediat britanike dhe ka treguar se ishte së bashku me të në ditën e fundit të jetës.
“Isha me Zoharin në ditën e tij të fundit në këtë planet dhe mund t’ju them me besim se ai ishte i lumtur, plot jetë dhe duke shijuar botën përreth tij si gjithmonë. ”- deklaroi ai.
Në një deklaratë, Shoqata e Fizikës së Universitetit të Leeds u shpreh se ai ishte një “mik i dashur” dhe “anëtar jashtëzakonisht i vlerësuar”.