Deri para pak kohësh, një nga drejtuesit e shërbimit inteligjent të Ukrainës SBU, Andriy Naumov, i cili u rrëzua më 31 mars nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me akuzën për tradhti të lartë, u arrestua në Serbi këto ditë, transmeton portali ukrainas NV.
Sipas të dhënave të deritanishme, Naumov u arrestua në Preshevë së bashku me një shtetas gjerman, dyshohet se shoferi i tij, i dyshuar për pastrim parash. Ministria e Brendshme e Serbisë raportoi për arrestimin e tyre, duke publikuar vetëm inicialet e tyre, të mërkurën, duke thënë se policia kufitare ka gjetur 607.990 euro dhe 124.924 dollarë para të gatshme dhe dy gurë të çmuar – smerald – në pikën kufitare të Preshevës me Maqedoninë veriore. Ata nuk kanë lajmëruar se kishin para apo gurë të çmuar dhe akuzohen se të dy i kanë marrë me veprimtari kriminale dhe kanë tentuar të largohen me ta nga Serbia.
Naumov dhe shoku i tij përballen me nga një deri në 12 vjet burg, por mediat ukrainase shkruajnë se ekziston frika se Naumov mund të përpiqet t’i tregtojë ata në këmbim të lirisë së tij për faktin se Naumov ka sekrete të shumta shtetërore të Ukrainës. Në këtë kontekst, ata theksojnë edhe faktin se në krye të MPB-së në Serbi është Aleksandar Vulin, një politikan i afërt me Kremlinin.
Naumov iu bashkua SBU në 2019, dhe në korrik 2021 u emërua shef i departamentit të sigurisë së brendshme. Ai u largua nga Ukraina, sipas mediave lokale, vetëm disa orë para fillimit të pushtimit rus dhe dërgoi familjen e tij jashtë vendit më herët. Zelenski e pushoi zyrtarisht atë më 31 mars, duke pretenduar se kishte kryer tradhti të lartë, duke e quajtur atë një “antihero” që kishte shkelur betimin e tij ushtarak.
“Ata oficerë të lartë ushtarakë që nuk e kuptojnë se ku është atdheu i tyre, të cilët kanë shkelur betimin që bënë para popullit ukrainas për të mbrojtur shtetin tonë, do të mbeten pa gradat e tyre”, tha Zelensky në atë kohë. Naumov mbante gradën e gjeneralit.