Të shtunën, në Klinikën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka humbur jetën një 45-vjeçar nga Klina. Për vdekjen e tij tashmë kanë nisur hetimet nga Policia, pas akuzave të gruas së të ndjerit në drejtim të Emergjencës në Klinë.
Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së thonë se burri që vdiq u transferua aty para katër ditësh për trajtim mjekësor, pas lëndimeve që kishte pësuar. Por para se te dërgohej në këtë qendër, ai u trajtua në Spitalin Rajonal të Pejës, ku u dërgua me autoambulancë nga Klina.
Gjatë periudhës se transportimit, gruaja e viktimës e ka akuzuar ekipin mjekësor se nuk ia dhanë trajtimin mjekësor me kohë. Reanimimi i vonshëm, sipas saj, bëri që burri i saj të mos u bëjë ballë plagëve dhe të vdes në QKUK.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në raportin e sotëm 24 orësh:
HETIM I VDEKJES
- Prishtinë, 11.06.2022 – 08:00. Është raportuar se një mashkull kosovar i cili ishte transportuar para katër ditësh nga spitali i Pejës në QKUK-Prishtinë i njëjti ka ndërruar jetë. Familjarët e viktimës dyshojnë se nuk i është dhënë tretmani i nevojshëm mjekësor dhe kjo mund të jetë arsyeja që ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për Obduksion.