Detaje shokuese janë zbuluar në lidhje me kufomën e dekompozuar që u gjet në Kolonjë, disa ditë më parë.
Teksa më herët u konfirmua se trupi i përkiste 29-vjeçarit Sherif Mukaj, i cili ishte zhdukur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, tashmë në kafkën e tij është konstatuar një vrimë tejshpuese, e shkaktuar me armë zjarri. Kjo do të thotë, se 29-vjeçari është vrarë me plumb në kokë, megjithatë për shkak se në vendin ku u gjet trupi nuk janë gjetur gëzhoja apo predhë arme zjarri, dyshohet se trupi mund të jetë transportuar për të mbuluar krimin në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, në fshatin Kreshovë, ku u gjet i dekompozuar nga dy barinjtë.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Kolonjë
Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.
Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.