Deputeti i Vetëvendosjes, Hakit Abazi e ka krahasuar kohën e ardhjes së kryeministrit Albin Kurti në pushtet me atë të ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.
Ai tha se është i njëjti sentiment, pasi, sipas tij, edhe në Kosovë po bëhet ndryshimi siç e ka bërë Gjingjiqi në Serbi.
“Ne kemi një situatë, nëse ju kujtohet, kur ishte Gjingjiqi kryeministër i Serbisë, edhe bëri një lëvizje drejt shkëputjes nga agjenda e Serbisë së vjetër, drejt një bashkëpunimi shumë më intensiv me Gjermaninë. Çfarë ndodhi? U vra kryeministri Gjingjiq nga vetë serbët, u eliminua për të mbetur tek agjenda e vjetër, agjenda ruse, e nëntokës së Ballkanit… Unë besoj që me ndryshimin në Kosovë, jo vetëm pse është votuar për Vetëvendosjen, por është i njëjti sentiment, sikurse kur filloi çkapja e shtetit si në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ai në emisionin “DPT te Fidani” në T7.