Shumë njerëz besojnë që askush nuk është imun ndaj magjisë së zezë, duke kërkuar ndihmë te persona që thirren në luftimin e ‘sehireve’. Ka edhe nga ata persona që akuzojnë drejtpërdrejtë individë te të cilët dyshojnë se po u shkaktojnë probleme me anë të magjisë së zezë. E një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, ku një person është arrestuar pasi ka shqetësuar një 24-vjeçare me akuzat se familja e saj po i bën magji të zezë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se i dyshuari 53-vjeçar kishte marrë me vete një mjet të punës të njohur si ‘teslicë’ dhe kishte shkuar në ordinancën që ndodhet afër shtëpisë së anëtares së familjes Peqani, ku kishte shkaktuar dëme të mëdha materiale.
53-vjeçari kishte thyer e dëmtuar të gjithë inventarin brenda ordinancës dhe kishte akuzuar familjen Peqani se me anë të magjisë së zezë po i shkaktojnë telashe me familjen e tij.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit 53-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.