“Po, Ukraina duhet të ketë më shumë armë të rënda”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp në Hagë.
Të martën, ai mbajti një takim me krerët e shtatë aleatëve evropianë të NATO-s përpara samitit të Aleancës në fund të qershorit në Madrid, ku tha gjithashtu se forcat ruse po përparonin në lindje të vendit.
NATO tashmë po “forcon” dërgesat dhe zyrtarët do të takohen sot në Bruksel për të bashkërenduar mbështetjen e mëtejshme, duke përfshirë armët e rënda, tha Stoltenberg, duke shtuar se NATO duhet të demonstrojë gatishmëri edhe më të madhe dhe të forcojë aftësitë e armatosura përgjatë kufirit të saj lindor.
“Në Madrid, ne do të biem dakord për një forcim të rëndësishëm të pozicionit tonë. Sonte, ne diskutuam nevojën për një prani më të gatshme luftarake, një nivel edhe më të lartë gatishmërie dhe pajisje dhe furnizime”, tha Stoltenberg të martën mbrëma.
Duke iu përgjigjur apelit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për armë shtesë me rreze të gjatë, Stoltenberg tha se ishte dakord që Kievi të merrte më shumë armë të rënda, por ai nuk dha detaje.
“Ukraina duhet të ketë më shumë armë të rënda, dhe aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë siguruar armë të rënda”, tha Stoltenberg, transmeton Press Online.