Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet për vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo nga Klodian Çalamani.
Ngjarja e rëndë që tronditi opinioni ndodhi në muajin janar, ndërsa tashmë Prokuroria ka vërtetuar se Çalamani e ka përdhunuar të miturin përpara se ta vriste.
Pas aktit ai e ka vrarë të miturin duke e qëlluar me sende të forta si kazmë dhe lopatë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim të pandehurin Klodian Çalamani i akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga nenet 100/2 dhe 79 germa “a” të K.Penal.
Menjëherë pasi është marrë kallëzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori.
Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari K. Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100m larg banesës së të miturit.
Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërmimit u gjet trupi pa jetë i viktimës.
Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit K. Çalamani.
Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal.
Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazmë e lopata.