“Pushtimi rus i Ukrainës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-së”, ka thënë ish-komandanti i NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark.
Sipas portalit polak TVP, Clark tha se liderët perëndimorë duhet të kujtojnë konfliktin në Bosnje, ku ndërhyrja e Aleancës ndaloi luftën.
Clark bëri thirrje për ndërhyrjen e NATO-s gjatë një diskutimi në internet të organizuar nga Qendra Kërkimore e Këshillit Atlantik mbi situatën në Ukrainë të hënën. Ai deklaroi se Rusia ka shumë përparësi në fuqinë e zjarrit dhe se armët arrijnë në Ukrainë shumë ngadalë dhe shumë pak.
“Meqenëse ne nuk mund ta ofrojmë këtë dhe nuk mund të tolerojmë humbjen e Ukrainës nga Rusia, duke parë disbalancën e fuqisë dhe humbjet, dhe faktin që ne nuk po dërgojmë avionë dhe nuk do të ofrojmë mbrojtje ajrore, për çfarë po flasim në të vërtetë?”, pyeti Clark.
Ai e krahasoi situatën aktuale me atë të luftës në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrjen e NATO-së.
“Vetëm kur Millosheviqi kuptoi se kishte arritur në fund të asaj që mund të bënte ushtarakisht, filloi të dëshironte një zgjidhje diplomatike. Më duket se duhet të mendojmë për të pamendueshmen,” tha ushtari amerikan në pension.
“Është koha për t’u kthyer në mësimet që kemi marrë. Le të ndërhyjmë me NATO-në. Le të hyjmë atje dhe t’i themi Rusisë të ndalojë dhe le ta ndalojmë atë. Ne nuk mund ta ndalojmë pa ndërhyrjen e NATO-së,” shtoi ai.
Pjesëmarrës të tjerë në diskutim, duke përfshirë një tjetër ish-komandant të NATO-s në Evropë, gjeneralin Phil Breedlove, theksuan gjithashtu ndihmën e pamjaftueshme për Ukrainën, kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore.
Gjenerali Clark ishte Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR) nga viti 1997 deri në vitin 2000, dhe në vitin 1999 ai komandoi bombardimet e NATO-së mbi Serbinë, duke e detyruar atë të tërhiqet përgjithmonë nga Kosova.