Në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë dje është mbajtur ceremonia e diplomimit dhe dorëzimit të certifikatave për maturantët e kësaj qendre, ku ka marrë pjesë edhe udhëheqja komunale.
“I arsimuar është ai që mund të mendojë për atë që ndjen, të thotë atë që ai mendon dhe të dijë çfarë të thotë”- është cituar Grundtving në një adresim në faqen e kësaj qendre në Facebook, pas ceremonisë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë adresimin në faqen e Qendrës në Facebook, nga drejtori i Qendrës së Kompetencës, të publikuar dje:
“Sot, në shkollën tonë, diplomoi gjenerata e dhjetë e nxënësve.
Pa dyshim se kjo ishte njëra ndër ditët më të veçanta që nga themelimi i këtij institucioni edukativo-arsimor.
Përmes kësaj ceremonie diplomimi u kurorëzua suksesi trevjeçar i kësaj gjenerate, të cilët vazhdimisht premtuan se do të jenë miq të dijës.
Për tri vjet shkollim, institucioni të cilin unë e drejtoj, i ka siguruar kësaj gjenerate mundësi shkollimi, duke u përshtatur me kërkesat e sotme të ekonomisë dhe shoqërisë. Pavarësisht rrethanave kemi ruajtur dhe zhvilluar standardet e mësimdhënies, duke inkurajuar lirinë e gjykimit dhe mendimit kritik, e vërtetë kjo e cila dëshmohet çdo ditë nga nxënësit tanë.
Në një të ardhme shumë të shpejtë Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, do të ofrojë edhe mësim duel për gjeneratat e ardhshme. Me të gjitha këto të arritura, ky institucion është shndërruar në një institucion polivalent, i cili ofron programe të ndryshme me mundësi zgjedhje për studime dhe tregun e punës, vendor e atë ndërkombëtar.
Në një ditë të veçantë si kjo, për ne si instutucion e për nxënësit tanë e komunitetin e prindërve, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjitha ata të cilët e mundësuan një ceremoni të tillë diplomimi.
Një falënderim të veçantë e kemi për prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët na besuan në përgatitjen e tyre për jetë dhe tregun e punës, për tri vjet, falënderojmë vet nxënësit, të cilët u treguan bashkëpunëtorë të jashtëzakonshëm, qoftë në shkollë e qoftë jashtë saj, gjatë realizimit të praktikës profesionale.
Po ashtu falënderojmë edhe Kolegjin AAB për huazimin e pelerinave dhe kapelave për ta kompletuar këtë ceremoni.
Me shumë respekt, Nazmi Zogaj, drejtor i Qendres së Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë.”
Objekti i Qendrës së Kompetencës llogaritet ndër investimet më të mëdha që është bërë në Malishevë, pas luftës për liri. Shkolla me orientimin dhe punën, e angazhimin e stafit paraqet një shembull perfekt të kombinimit të mësimit teorik me atë praktik dhe të harmonizuar me nevojat e tregut të punës. Qendra e Kompetencës është krenaria e Malishevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *