Kryebashkiaku i qytetit meksikan të Cuernavace nuk mund ta imagjinonte se në çfarë katastrofe do të përfundonte ceremonia e hapjes së urës së këmbësorëve. Si pasojë e aksidentit që ka ndodhur të martën e kaluar, shumë persona kanë përfunduar në spital. Ura mbi lumë u rindërtua, por pasi kryetari i bashkisë dhe mysafirët e tij u nisën për ta kaluar, ajo u shemb. Njerëzit ranë në gurë dhe disa prej tyre përfunduan në lumë. E gjithë ngjarja është filmuar nga një kamerë. Kryebashkiaku Jose Luis Uriostegui më vonë i fajësoi disa njerëz që hipën mbi urë gjatë hapjes.
“Kishte shumë njerëz që hidheshin. Kjo ishte e pamatur” – tha kryebashkiaku dhe shtoi se në një moment në urë kishte më shumë njerëz sesa e lejon kapaciteti.
Qeveria e qytetit tha më vonë në një deklaratë se katër anëtarë të këshillit të qytetit, dy zyrtarë dhe një reporter lokal u plagosën në rënie dhe se shpëtimtarët duhej t’i tërhiqnin me barelë. Ata u transferuan në spitalet lokale, raportojnë mediat.