Një rast jo fort i zakontë i dhunës në familje ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së enjtes në rrugën “Rexhep Kabashi”, në Prizren. Merret vesh se një grua 36-vjeçare ka vendosur ta denoncojë në Polici bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Por para se të shkojë në stacion policor, ajo ka bërë një veprim, përmes së cilit ka tentuar që ta ndalojë ikjen e bashkëshortit të saj nga duart e Policisë.

Burimet e gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima e ka mbyllur të dyshuarin në banesë, duke mos i lënë çelës, derisa i njëjti ka qenë me një grua tjetër. Dy fëmijët i ka marrë me vete dhe është nisur për në Polici.

Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve, viktima ka thënë se është në muajin e 5-të të shtatzënisë dhe që një kohë është duke përjetuar dhunë fizike e psikike, çka po i shkakton asaj frikë e shqetësim për të bashkëjetuar me të dyshuarin.

Ajo ka kërkuar ndihmë nga Policia, ku në mes të tjerash ka përshkruar në detaje se si burri e kishte goditur nëpër të gjitha pjesët e trupit, duke  i shkaktuar lëndime trupore.

Për të parandaluar ndonjë të keqe më të madhe që mund t’i ndodhë, ajo ka vendosur që të raportojë rastin, duke e mbyllur burrin fillimisht në banesë.

Gjatë kohës sa viktima ka qenë në stacion policor, Sinjali mëson se i dyshuari e kishte thyer dritaren dhe kishte arritur të largohej nga banesa, duke iu shpëtuar kështu prangave të Policisë.

Megjithatë, njësitë policore kanë nisur kërkimet për të dyshuarin, ndaj të cilit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për dhunë në familje.

Ndërkohë, viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas bashkë me fëmijët e saj është dërguar në Strehimore, aty ku ndihet më e sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *