Shtetasja e Bregut të Fildishtë, Sabin Mariq (39) e kishte vrarë bashkëshortin e saj serb Branko Mariq me një turjelë. Sabina është liruar para disa ditësh nga burgu, raportojnë mediat serbe. E dënuar për vrasjen e janarit 2013, kur pas një konfrontimi verbal vrau bashkëshortin me një turjelë, ajo ka thënë se e ka bërë në vetëmbrojtje dhe se nuk kishte qëllim vrasjeje. Ajo fillimisht ishte dënuar me 15 vjet burg, por dënimi u ul në 11 dhe u lirua pak para se të vuante të gjithë dënimin.
“Isha në depresion. Ai nuk më kushtonte vëmendje mua dhe dy fëmijëve tanë. Unë thjesht doja ta godisja në krahun e tij me një turjelë”- tha ajo gjatë gjyqeve, të cilat shpesh ndërpriteshin për shkak të gjendjes së saj të keqe mendore.
Gjatë procesit gjyqësor, ajo kishte thënë se problemet kishin nisur pas lindjes së fëmijës së tyre të parë. Sipas saj, burri i saj më pas filloi ta ngacmonte verbalisht dhe shpeshherë ishte larg shtëpisë. Ai ishte arsyetuar se kjo po ndodhte pasi ishte i angazhuar shumë në punë, pasi ishte punonjës i OKB-së dhe kishte kaluar disa kohë në Sudan Sabin kujtoi gjithashtu mbrëmjen fatale, në gjyq.
“Ne patëm një debat. E pyeta pse po më shante, kështu që fillova ta shaja edhe unë atë. Ai më largoi, më kapi nga flokët dhe më pas u përpoq të më mbyste me një jastëk. Unë iu luta të ndalonte. Arrita të shkoj në një dhomë tjetër ku mora një turjelë. E godita disa herë, doja krahun e tij, por … nuk e pashë të shtrirë. Filloi gjakderdhja” – tha Sabin, e cila më pas ka marrë ‘disa pilula’ dhe verë dhe është alivanosur. Ajo ishte zgjuar vetëm në spital ku zbuloi se i shoqi kishte vdekur. Vrasja u zbulua nga një dado. Fëmijët kishin qëndruar pranë babait të vdekur dhe nënës së alivanosur sikur të ishte e vdekur, gjatë gjithë natës.
Gjatë aktgjykimit, gjyqtari ka arsyetuar se ajo e ka kryer vrasjen në mënyrë tinëzare, sepse viktima e saj nuk ka mundur të mbrohet pas goditjes së parë. “Fakti që ke pasur një jetë të vështirë me të nuk të jep të drejtë t’i marrësh jetën”, i kishte thënë gjyqtari.