Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë ditën e sotme.

Përmes një video në llogarinë e saj në Facebook, Manastirliu bën me dije se një tjetër fëmije i kthehet dëgjimi falë vendosjes së implantit koklear falas.

“Emocion i papërshkruar për Elvisën e vogël që dëgjon për herë të parë zërin e nënës. 7- vjeçares i është rikthyer dëgjimi falë ndërhyrjes së suksesshme të implantit koklear dhe terapisë me logopedët që po vijon këto ditë në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë”, shkruan ministrja.

“Si Elvisa, janë 25 fëmijë që kanë përfituar vendosjen e implantit koklear falas falë financimit të plotë që kemi mundësuar për të gjithë paketën e kushtueshme të implantit koklear për fëmijët me humbje të thellë dëgjimi. Një ekip profesionist mjekësh në shërbimin ORL, prof. Besim Boçi, dr. Birkena Qirjazi, dr. Suela Sallavaci, dr. Dritan Vasili, dr. Jetmira Feza dhe logopediste Berjana Molla, kujdesen që ndërhyrja dhe më pas terapitë, të kryhen me profesionalizëm, për t’i kthyer plotësisht dëgjimin këtyre fëmijëve special”, shkruan Manastirliu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *