Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se vijimi i vitit shkollor do të ndryshojë. Ai do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë) dhe jo në tri si deri më tash.
Nagavci ka thënë se ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve dhe sipas saj kjo do të kontribuojë për një vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.
“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
“Ky Udhëzim Administrativ për vlerësimin e nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulës është në diskutim publik deri më 23 qershor 2022, prandaj ftoj të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë edhe gjatë këtyre ditëve me komente profesionale, në mënyrë që këtë dokument të rëndësishëm ta kemi sa më cilësor”, ka shtuar ajo