Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e korrigjimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se pret reflektim edhe nga Qeveria e Malit të Zi me në krye Dritan Abazoviqin.

Kjo pasi sipas Kurtit, presidenca malazeze ka shprehur gatishmërinë dhe pajtueshmërinë për rishikim e korrigjim të gabimeve të bëra.

“Së bashku me Qeverinë e Malit të Zi duhet të formohet Komisioni i përbashkët për korrigjimin e gabimeve në Demarkacion. Duhet të formohet në momentin më optimal. Ne jemi gati, duhet të pritet Mali i Zi në formimin e Komisionit. Ekspertët vendor kanë punuar në këtë drejtim. Besoj që edhe Qeveria e Malit të Zi do të reflektojë pasi presidenti Gjukanoviq ka shprehur gatishmëri. Vetëvendosje e ka kundërshtuar versionin e nënshkruar”,  ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, së pari është dashur të ketë rishikim e pastaj korrigjim, por që qeveritë e mëparshme sipas tij gabuan në hapa.

“Në qeveri është aprovuar raporti me mbi 800 faqe por mendimi që ne kishim është se së pari rishikim e pastaj ratifikim. Qeveria e asaj kohe veproi keq me së pari ratifikim e pastaj korrigjim. Pala malazeze është shumë e varur nga raportet politike në vendin e tyre. Jemi të gatshëm dhe në pritje”, ka thënë Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *