Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë gjithë seancës së Kuvendit i ka thënë opozitës se është duke e përdorur diskursin e ekstremistes së djathtës franceze, Marie Le Pen.
Kurti politikanen opozitare franceze e ka përmendur teksa ka kundërshtuar tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Kjo është retorika e Le Penit, çmimet, shtrenjtimet, pa e shikuar fare strukturën ekonomike, financën publike apo planet zhvillimore”, ka thënë Kurti.
Atij i është kundërpërgjigjur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e cila i ka thënë Kurtit “se ai ka komoditet të merret me filozofi”.
Por, Kurti vazhdimisht ka këmbëngulur se “retorika e opozitës është populiste”.