Opinionisti dhe ish-gazetari i Washington Post, Jason Rezaian ka publikuar një opinion që lidhet me Kosovën dhe rolin e saj në konfliktin e ideve mes SHBA-së dhe Rusisë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Autori ka bazuar shkrimin e tij edhe në bisedat që i ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe e ka cituar disa herë gjatë opinionit që e ka publikuar në The Washington Post.

Ai thotë se rreziku për Kosovën me 2 milionë banorë e me 48 baza ushtarake serbe përreth, është shumë i lartë. Ai citon Kurtin, i cili thotë se Kosova është front ku definohet konfrontimi ideologjik mes SHBA-së dhe Rusisë.

“Për një vend me më pak se 2 milionë banorë, që e ka deklaruar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, rreziku është shumë i lartë. Me 48 baza ushtarake të Serbisë përreth kufirit të Kosovës sipas Kurtit, nuk është çudi e madhe që ai sheh fatin e vendit të tij si një front ku definohet konfrontimi ideologjik i kohës sonë. Ai e konsideron rajonin e tij si një fushëbetejë aktive, por nganjëherë të anashkaluar, në mesin e tensioneve që po rriten ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, shkruan ai, raporton Gazeta Express.

Rezaian shpjegon gjithashtu se Kurti i ka thënë se se ai vazhdon të bëjë përpjekje vullnetmirë për de-eskalim me Serbinë, por ato nuk kanë shpjerë askund deri më sot.

“Në zemrën e tensioneve qëndron mos-vullneti i Serbisë për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran”, shkruan tutje ai, teksa citon Kurtin: “S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh. Pra, duhet njohje e ndërsjellë dhe ne jemi gati që të përfshihemi në këtë diskutim”.

Si do të dukej mbrojtja e garantuar për Kosovën, sipas Rezaian, është prezenca e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, por edhe integrim në BE.

“Si do të dukej kjo për Kosovën? Prezencë e përhershme ushtarake amerikane. Anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe njohje nga shtetet e mbetura të shtetësisë”, ka shkruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *