Nga Haqif Mulliqi
Se ishin sulmuar fshatrat e Llapit, që nga Lupçi e deri në Bradash e Kërpimeh, mësova herët, që në mëngjesin e 27 janarit 1998. Ditë e mërkurë.
Shpresa kishte dalë më herët për në mishtore e cila gjendej në krahun e kundërt të banesës së Istref Begollit. Pronarët e saj ishin llapjan dhe na kanë respektuar shumë. “Llapi po digjet flakë…”, i thotë Shpresës ai burri më i vjetër. “Serbët kanë sulmuar përsëri dhe po granatojnë nga të gjitha anët”, thotë fqinji ynë. “Djali më lajmëroi”, i thotë mishshitësi nga Godishnjàku, dhe se e tëra kishte filluar në Sallabajë, por shumë shpejtë ishte zgjeruar deri në Lupç të poshtëm, ndërsa, nga ana tjetër deri në Kërpimeh, i tregon ai.
“Zoti qoftë me djemtë tanë që janë atje se serbët janë tërbuar dhe do të bëjnë çmos që ta gjunjëzojnë Llapin dhe ta largojnë UÇK-në nga pozicionet që ka që nga fundi i gushtit të vitit të shkuar”.
“Kurrë”, i thotë Shpresa. “Kurrën e kurrës. UÇK-ja më s’është as e fundshkurtit të vitit të shkuar, as e gushtit e as e tetorit. UÇK-ja është forcë… A i përcolle ngjarjet e paradoditëshme në Shipol, Vaganicë, te Ura e Gjakut dhe Tavnik. Ushtarët tanë i kanë bërë pikë e pesë forcat e serbe. Më ka treguar Haqifi që ishte atje… Ndërsa serbët e dinë shumë mirë këtë gjë. Unë të them se, jo veç Llapi, por as Shala e Drenica, as Deçani me Nerodime e Pashtrik, kurrë nuk do të bien më nën kontrollin e serbëve më, përjetë”.
“Eh, të lumtë goja “, i thotë fqinji i cili kur ndahen e pyet Shpresën:
“Po burrin ku e ke? Në Llap?”
Shpresa e shikon pa bërë fjalë. Ai deshi ta pyeste edhe diçka tjetër, por heshtë.
Nuk do mend se udhës për në banesë Shpresa u ballafaqua me një dilemë shumë të madhe: të më tregonte apo mos të më tregonte për atë që po ndodhte në Llap!? Ajo e dinte se unë, nuk do ta lija kurrë pa shkuar atje. Dhe, derisa i afrohet banesës, ajo e dinte se unë do ta merrja vesh se çfarë po ndodhte me shokët e mijë dhe se, ndoshta do të ishte mirë që të më tregonte e që të paktën, sa më herët të nisesha për në front. Ajo e dinte këtë gjë si një e një që bëjnë dy.
Sapo futet te dera Shpresa ma kumton lajmin dramatik. Unë, në atë çast, vetëm e kam dëgjuar veten kur me frymëmarrje e kam lëshuar një si ofshamë: “Ueh”!
Shkova tek telefoni i shtëpisë dhe i kam rënë numrit të gjatë. Për çudi, u lidha menjëherë. Matanë kufjes e dëgjova zërin: “Shtabi Operativ i Llapit”. Ishte një zë të cilin nuk munda ta dalloja se i kujt ishte edhepse me njerëz të shtabit jam dëgjuar shpesh përmes telefonit. Dhe, pasi që u prezantova, e pyeta bashkëbiseduesin se a kishte diç të re andej nga ata?
“Luftë… Po shkon flakë”, më tha.
“Mirë, vetëm desha ta konfirmoja këtë lajm”, ia ktheva. “Mirë u pafshim se po nisem!”
“Nuk ke shans që të afrohesh se lere më të futesh brenda”, më tha bashkëbiseduesi im matanë telit. “më mirë qëndro në shtëpi! Do të të kallin.”
“Megjithatë, do të sprovoj dhe nëse ekziston vetëm një shteg pa ardhur atje nuk e lë”, i thash atij dhe para se ta ulja kufjen i thash me vendosmëri: “Mirë u pafshim!”
“Tungjatjeta, burrë”, ma ktheu ai, “por mendo edhe njëherë!”
Dhe, pa u mëdyshur për asnjë çast, jam takuar me vëllain tim, Hakiun dhe mikun tonë, Habib Raçin, një mik yni shumë besnik, me të cilin, edhe më parë, kisha marrë udhëtim të këtilla, edhe të rrezikshme nëpër zonat e luftës.
Hakiu dhe Habibi erdhën dhe më morën tek vendi ku e kishim lënë të takoheshim. Pa e bërë asnjë fjalë u nisëm. Derisa makina jonë po çante rrugën e përbaltur në drejtim të Llapit, gjatë tërë rrugës kishim vetëm një llaf: “Nga t’ia mbaja pastaj unë vetëm që të arrija sa më parë brenda territorit të UÇK-së!?” Së pari, vendosa që të shkoja në Majac e aty e andej do t’ia bëja disi.
Kur arritëm tek udhëkryqi i Prugovcit, na ndaluan policët serbë. Për habinë tonë ishin policë të komunikacionit:
“Ku po shkoni”, na pyeti polici me një zë të ashpër.
“Po shkojmë në Raskovë”, ia ktheva edhe unë në serbishte.
Ne e dinim se Raskova e Milloshevës ishte e banuar, kryesisht, nga serbët, dhe, për shkak të serbishtes sime, polici mendoi se edhe ne ishim serbë dhe na e hapi drejtimin andej nga Millosheva. Fati e deshi që Habibi, në mesin e një numri të fshatarëve të Barilevës e dalloi një të njohur të tij (mendoj se kishin punuar bashkë) i cili, pasi që na tregoi se tutje me makinë nuk mund të shkonim, ngase serbët i kishin bllokuar të gjitha rrugët, ndërsa rrugët tjera bëheshin të pakalueshme, na e tha se ishte në dispozicion të më shoqëronte mua, të paktën deri te pika e parë e ushtrisë sonë. Tregoi se quhej Rushit. Habibi e plotësoi: “Rushit Shala. Është një djalë shumë i mirë dhe besnik.”
Hakiu dhe Habibi u rikthyen në Prishtinë, rrugës së Mitrovicës, ndërsa unë dhe Rushiti, nga lagjja e Shalajve të Barilevës, tfilluam, nëpër zhurmimin e topave dhe të armatimit tjetër të të gjitha kalibrave, që qëllonin mbi pozicionet e UÇK-së, jo larg nesh. E morëm rrugën e gjatë drejt Majacit të cilin e kisha synim unë.
*****
Me Rushit Shalë kemi ecur me një temporitëm të jashtëzakonshëm. Qëllimi im ishte që sa më parë të mbërrijë atje, mu tek vijat e para të frontit ku, e dija me siguri se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këta djem të cilët i kishte hallall kjo tokë, po bënin një rezistencë të paepur kundër një armiku të ndyrë, tinëzar dhe barbar.
“Po luftojnë fort këta tanët, a?”, më tha Rushiti.
“Po. Fort.”
Pastaj Rushitit nisa t’i flas për librin, “Kosova djep i shqiptarizmës”, të cilën e kishte shkruar Hamit Kokolari, dhe që ishte një lloj antiteze e qëndrimeve serbe mbi Kosovën djep të Serbisë. Rushiti më dëgjonte me shumë vëmendje kur po i flisja, ndërkaq më tha se i pëlqeu shumë ajo që e thash se: Kosova është Sparta e Shqipërisë!”
Derisa po vazhdonim, rruga po më bëhej e pafund. Diku në arat e Barilevës, jo larg Brezhnicës, takuam një familje të ikurish nga brendësia e frontit: dy gra, njëra më e re e tjetra më në moshë dhe katër apo pesë fëmijë, si dhe një burrë e të cilët na treguan se sulmi tinëzar i serbëve kishte filluar në mëngjesin e hershëm të asaj dite, dhe se, sikur që e kishte fillimisht, siç na e tha edhe mishshitësi, në Sallabajë të Lluzhanit, e për t’u shtrirë pastaj përgjatë tërë vijës së luftimeve, deri në Grykën (e thellë) të Llapit.
“Siç dëgjova, së pari serbët, këmbësoria e tyre, ishte futur në Sallabajë, ku, praktikisht nuk kishte pikë të UÇK-së. Ata, siç duket e dinin këtë dhe ishin futur që, fillimisht ta frikësojnë popullin i cili do ta braktiste fshatin, pastaj ata do të futeshin dhe do ta plaçkitnin, siç kanë vepruar këta banditër kudo nëpër Kosovë. Serbët sapo kanë hyrë në fshat dhe kanë filluar të shtinë mbi shtëpitë e shqiptarëve dhe mbi njerëzit që morën ikën, këmbëzbathur. Mirëpo, fati i këtyre njerëzve ishte që aty pari qëllon një njësit vëzhgues i UÇK-së, jo aq i numërt të cilët u futën në konfrontim të hapur, ballë për ballë, me serbët të cilëve ua ndalin turrin”, tha burri i cili, me gra e me fëmijë, as që e dinte me saktësi se ku dhe nga do t’ia mbanin. Kur u ndamë prej tij, pas “pushimit” të vetëm që unë dhe Rushiti, thuaja se, bëmë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë i cili, hove-hove, më bëhej se, nuk do të përfundojë kurrë, tfilluam tutje. Pasi që civilët u larguan, goxha, Rushiti më tha se burrin me të cilin biseduam dhe të cilin e njihte nga dukja ishte pjesëtar i familjes Mërturi të Lupçit të Ulët.
Pastaj, rrugës kemi takuar edhe disa pjesëtar të familjeve Kika, Ratkoceri dhe Duraku, po ashtu nga Lupçi të cilët në breshërinë e plumbave mezi kishin arritur të dalin nga shtëpitë e tyre për ta shpëtuar kokën:
“Kemi ikur pa la përthonjsh”, na tha një mesoburrë. “Siç e shihni serbët s’na kanë dhënë afat që të marrim gjë me vete, e madje as bagëtinë ta lirojmë nga stallat”, tha ai.
“Po, nga do të shkoni tashti?”, e pyeta unë këtë burrë.
“Nuk di. Mbase në Dumnicë të Krasniqes, mbase në Brezhnicë apo Stanovc, mbase në Barilevë… Thjesht, ku të gjejmë strehim”, u gjegj ai. “Por, fati e do që populli ynë është solidar dhe se sigurisht ne nuk do të mbetemi pa kulm mbi kokë”, tha ai, derisa një foshnje disamuajshe të cilën e mbante para duarve të lidhur në djep i qante në kupë të qiellit.
Kjo, sikundër edhe pamjet tjera që pata rastin t’i shoh, jo vetëm këtu në Llap, por kudo nëpër Kosovë, nga Llapashtica e deri në Smolicë të Gjakovës, janë pamje vërtetë të dhembshme, dhe e shpërfaqin kontinuitetin historik të zhvendosjes së popullit tonë, herë këndej e herë andej, vetëm për të shpëtuar nga barbarët.
“Heu, sa herë janë djegur këto fshatra deri në themel”, më thotë Rushit Shala. “Nuk ka të njehur.”
*****
Kur arritëm në Kozaricë, një mal mes Podujevës, Vushtrrisë dhe Obiliqit, aty u takuam me një grup ushtarësh tanë. Mendoj se shumica syresh më njohën. U printe Komandant Gjoni, për të cilin kisha dëgjuar shumë tregime interesante. Edhe me ata bisedova për atë që po ndodhte. Thuaja se gjithçka ishte ashtu siç ishte përshkruar më parë. Në atë pikë Gjoni ishte me ndonjë njëzet ushtarë.
Unë dhe Rushiti u nisëm. Pas disa hapave ndalova dhe e pyeta Gjonin: “Komandant, a ka valë të mobilit këtu pari?”
“Po”, më tha gjoni. “Tek ajo çuka e Kozaricës ka plotë valë.”
U përshëndetëm për së largu.
Kjo më interesonte shumë, pasi që me Hakiun dhe Habibin e kishim lënë që, kur të kthehem t’ua lëshoj një zile, që të takoheshim në Barilevë.
Pika e djemve të UÇK-së, në Kozaricë, ishte mjaft delikate ngase atyre serbët mund t’u afroheshin edhe nga ana e kundërt, nga Vushtrria ndaj dhe ata ishin vendosur ashtu që të kishin pamje më të qartë edhe nga njëra e edhe nga ana tjetër.
Kur arritëm në pyllin mbi Majac isha fillikat vetëm. Gjëmimet e topave dhe të armatimit të rëndë, para së gjithash “pragave”, dëgjoheshin nga të gjitha anët. Ora mund të ketë qenë dymbëdhjetë, apo, të shumtën dymbëdhjetë e një çerek. Rushitin, me insistimin tim, e ktheva ndonjë tre çerek ore të ecure, më parë.
Ende pa u lëshuar teposhtë drejt fshatit, përnjëherë kam dëgjuar zëra njerëzisht, por edhe të qara fëmijësh. Aty, në një lugshtajë, një numër i konsiderueshëm i majancasve kishte krijuar në llogor, disi ndërmjet dy kodrinave ku nuk mund të qëlloheshin nga serbët. Ishte ftohtë. Fëmijët po qanin me zë.
Nga pylli, rrëzë “Kozaricës” Majaci më dukej si në pëllëmbë të dorës. Krejt në të djathtë, aty ku e kishin pikën ushtarët tanë, më parë, tashti, nga vendi ku gjendesha unë, viheshin re, fare mirë, shtatë apo tetë tanke dhe autoblinda tjera të pushtuesit. Kjo ishte shenjë se ajo pikë e UÇK-së kishte rënë. Është pika ku për herë të fundit isha takuar me një komandantin e atyshëm, mikun tim, Selamiun, luftëtarin trim për të cilin anë e këndë Drenice, ku ky kishte luftuar muaj të tërë dhe prej nga kishte ardhur në Zonën Operative të Llapit, në transferim, dëgjoheshin fjalë më të mira të mundshme.
Thënë të drejtën, edhe pse këtë luftëtar të Lirisë e kam takuar edhe disa herë më parë, edhe pse kishim bashkëbiseduar për Drenicën dhe njerëzit e atjeshëm që i njihnim së bashku, megjithatë, kurrë nuk e kam pyetur se nga ishte: nga Drenica apo edhe nga Llapi. Por, në fund të fundit ç’rëndësi kishte kjo. Ushtarë në Llap e kishim edhe Dashurimin, luftëtarin nga Librazhdi i cili e kishte lenë punën në Greqi për t’i bashkëngjitur UÇK-së. Dashurimin e quanim “Shqipëri” (Shqipni, Shypni, Shqypni). Një djalë filigran.
Gjithashtu, kur zhdirgjem edhe pak, e vë re se, tashmë, serbët kishin mbërritur deri tek pika në hyrje në Majac dhe ishin shtrirë në një trekëndësh deri tek lagjja e Demaçëve dhe e Bajgorëve, vizavi me anën e kundërt të fshatit ku vihej re një kerr i bardhë. Unë edhe sot mendoj se ishte makinë e ndihmës së shpejtë ngase, nga pozicioni prej nga po vështroja unë në Majac dhe Lupç, e kamë vënë re se disa herë ka shkuar nga pika në pikë e serbëve. Por, dilemën për këtë makinë ma shtuan disa luftëtarë, mëpastaj, të cilët mendonin se mund të ketë qenë makinë e OSBE-së edhe pse, në atë kohë, thuaja se të gjitha makinat e OSBE-së ishin ngjyrë portokalli.
Sidoqoftë, për ndonjë pesëmbëdhjetë minuta vëzhgimi që i bëra fshatit, thënë të drejtën një ndjenjë të dyshimit më shtonte fakti se në fshat nuk shihja njeri të gjallë të lëvizte. Madje, po të mos dëgjoheshin krismat dhe gjëmat aq intensive të topave serbë, sigurisht se do të më shkonte mendja se jeta në atë vend kishte pushuar, ka kohë. Por, ajo që më brengoste më së shumti ishte se nuk mund ta dija me siguri se a kishin depërtuar serbët në fshat apo jo, dhe se a e kishin marrë atë fshat , apo jo!
Mendova se, sikur të zhdirgjem poshtë e të më kapin të gjallë e kisha të qartë se çfarë më priste. Më së shumti e kisha frikë se mund të më thernin me thika.
Por, përkundër të gjitha dilemave dhe mëdyshjeve, vendosa që të zhdirgjesha në Majac, por duke ia mbajtur gjithnjë anës së epërme të lumit, nëpër pyll, dhe t’i afrohem lagjes së Zhegrovëve. E dija se deri atje, sigurisht do të mund ta kuptoja se cila ushtri po e mbante fshatin! Dhe pas një ecjeje jo aq të gjatë, por jo edhe aq të shkurtë, matanë lumit që e ndanë Majucin në mes, dhe të cilit assesi t’ia mbajë emrin mend (ndoshta i thonë Rekë e Lupçit), e vura re një burrë të moshuar, me maramë të bardhë rreth plisit i cili, po ashtu po ngjitej përpjetë fshatit, por pa nguti. Atëherë kamë nxituar unë që të gjejë udhë dhe urë e ta zë atë burrë që të orientohesha nga do të shkoja më pastaj. Problem bënin qentë e fshatit të cilët njerëzit i kishin zgjidhur që të mos i vrisnin serbët.
Me te jam pjekur pas ndonjë dhjet minutash, pasi që e kalova një vig mbi lum. Ai burri nuk mundi ta fshihte habinë e tij kur më pa, dhe, pasi u përshëndetëm doradoras, ai më pyeti po ashtu habitshëm:
“Po ti, për ku je nisur, jahu?”
“Konakun do ta bëja sonte në Llapashticë”, i thash.
“Bë si të duash, por ata të Llapashticës kanë ardhur bukur shumë këtu të luftojnë, ngase luftë më të madhe se sa sot në Majac nuk ka në Kosovë”, më tha plaku, i cili në ndërkohë më tregoi se, me sa e dinte ai nga radhët tona ishin plagosur dy ushtarë, por lehtë, derisa njëri ishte i biri i vëllait të tij.
Dhe, nuk ka kaluar as një minutë pasi jemi ndarë, andejpari, në drejtim të ndërtesës ku gjendej shtabi i UÇK-së në Majac, ku kisha bërë shumë net e ditë, pashë se po vinte një automobil i tipit “Lada” i cili më ndaloi mu para këmbëve. Nga ai doli një burrë, më pak se tridhjetë vjeç, mbase, i cili që në kontaktin e parë deshi të linte përshtypjen se më njihte.
Pasi u morëm ngryk, ai më tregoi se ku ishim takuar më parë mu kujtua se prej nga njihja edhe unë. Ishte djali i motrës i një mikut tim, poeti dhe publicisti të njohur, Milazim Krasniqit. Ma e rikujtoi edhe emrin e tij: “Jam Ganiu!”
Dhe disi, e kisha përshtypjen se ai e mori si ndonjë obligim që gjatë tërë asaj dite dhe një pjese të ditës së nesërme të më shoqëronte.
*****
Posa iku makina me të cilën erdhi Ganiu deri aty, nga lartë, të Shkëmbi i Majacit, dikush po na thërriste që të ngjiteshim lart. Ganiu më tregoi se aty ishte një pikë e ushtarëve tanë dhe, që të dy u ngjitëm bukur shpejtë asaj përpjete të rrëpishme ngase pjesa nga po ngjiteshim përpjetë ishte mjaft e ekspozuar nga serbët. Kur arritëm larë, aty në atë pikë, së pari, takuam një grup ushtarësh. Ndonjë më njihte e ndonjë jo, por, kisha përshtypjen se atyre u vinte mirë që gjendesha në mesin e tyre. Ishte një grup i djemve fare të njomë, por, sigurisht, të përgatitur tej mase që të përballeshin me armikun e tërbuar. Një numër i konsiderueshëm i tyre më tregonte se si kishin luftuar tek pika e vëzhgimit, në hyrje të Majacit. Ajo betejë kishte zgjatur ndonjë tre orë e gjysmë, derisa plumbat dhe predhat e serbit po binin nga të gjitha anët.
“Kur nuk më kanë vrarë serbët sot”, tha njëri prej tyre, “qe besa e Zotit s’do të më vrasin më kurrë”, vazhdoi djaloshi për të cilin Ganiu më tha përshpëritshëm se ishte tejet, tejet i ri, edhe pse i zhvilluar nga shtati dhe i cili, në një mënyrë apo tjetrën, u ishte imponuar eprorëve të UÇK-së në Majac, madje me insistimin e axhës së tij.
“Tash mund t’i kishte ndonjë shtatëmbëdhjetë vjet djali, apo edhe më pak”, më thotë Ganiu. “Mirëpo Selamiu më ka thënë aq herë se djalë më punëtor e më të dëgjueshëm nuk ka nën komandë të tij”.
Shokët djaloshin e thërrasin Doni. Shihej se ai është spirituoz, ngase, aty për aty, siç thuhet, pa thënë “baski” i thuri dy apo tri mahi, sidomos lidhur me rastin e që i kishte ndodhur në vijën e parë të luftimeve, e që, për fat të mirë të tijin dhe të gjithë shokëve nuk përfundoi tragjikisht, siç ka mund të përfundonte.
“Zoti gazetar”, më tha Doni, “ti edhe nëse shkruan për këtë, megjithatë mos ma përmend emrin… Okej!?”
“Nuk ta përmend”, i thash…. “Por, megjithatë, më duhet ta përmend ngjarjen sepse e ke shumë interesante, o Doni”, i them.
“Ore, po deshe një metër ma shkruaj emrin në “KOMBI”, pse a po i tutem serbit, a? Po qe besa serbët do të duheshin t’i fshehin emrat e tyre se ne jo. Ne po e bëjmë Kosovën, e ku do ta lodrojnë nënën e tyre galë serbët, se?”, tha djaloshi i cili, përnjëherë m’u duk shumë më serioz, por edhe shumë më i moshuar se sa ishte dhe se sa e bënte uniforma e tij e tërë e përbaltur. Djaloshi emrin e plotë e kishte në nivel të simbolit: Liridon dhe asaj dite ai kishte rilindur përsëri.
Por cila ishte kjo histori e Liridonit?
Kur kishte filluar sulmi i forcave armike mbi pozicionin e vëzhguesve tanë, me ushtarët tjerë, Liridoni u kishte shkuar shokëve të tij, pra ushtarëve tanë, në ndihmë. “Serbët shtinin me armatim të rëndë nga Vranidolli, Lupçi, Teneshdolli dhe Lluzhani”, nisë rrëfimin e tij ushtari i ri dhe shumë simpatik. “Ne gjendeshim në istikamet tona dhe nuk po i lenim tanket armike që të na afroheshin. Dhe, përnjëherë, ndonjë një metër mbrapa vendit ky gjendesha unë në kanal ka rënë një granatë e kalibrit më të madh e cila e ka çuar një grumbull dheu i cili më ka rënë përmbi. Sigurisht se kanë qenë disa qindra kilogram dheu mbi mua. Duart më mbetën të zëra peng – edhe njëra, edhe tjetra. Edhe mbi kokë më kishte rënë një copë e ngrirë e cila më bënte presion. Mundohesha me sa mundesha të mbaja kokën lartë, ngase, po ta ulja kokën, dheu do të ma zinte frymën në vend. Po të mos ishin shokët, do të mbetesha aty. Por, shokët e mirë dhe të sakrificës erdhën, më ndihmuan dhe ja ku jam tashti”, rrëfen Liridoni.
Sikur më tha një ushtar tjetër, aty pranë, që mori pjesë në nxjerrjen e Liridonit nga ai vend i tmerrshëm dhe skajshmërisht i rrezikshëm, serbët kishin qëlluar me granata, sigurisht e minahedhësit 120 milimetërsh, jo vetëm që e kishte mbuluar Donin, por edhe disa ushtarë të tjerë afër, por ata më pak.
“Unë kur e pashë Donin ashtu mendova se e kishte mbytur dheu. Por, për të qenë e keqja më e madhe, në këto çaste serbët ishin në kundërsulm të furishëm dhe po qëllonin me sa mundeshin nga të gjitha anët që as kokën nuk mund ta çonim nga istikami se lere më të shkonim te Doni. Por, edhe përkundër situatës, më beso, nuk munda e të mos afrohesha e ta shihja djaloshin se çfarë i kishte ngjarë dhe a ishte gjallë. Kur u afrova nga anë e majtë, ndërsa një shok tjetër, nga ana djathë, e vura re se atij vetë koka i kishte mbetur ende jashtë dheut. Vetëm aq sa për të marrë frymë, edhepse, edhe mbi kokë e kishte një copë të madhe të dheut të ngrirë, të cilën nuk e di se si ia dilte që ta mbante, për të mos u ngulfatur.
‘A ke thikë, he burrë’, më pyeti Doni.
‘Pse’, e pyeta unë.
‘Më mbyt me dorën tënde, vëlla, e mos më le në duart e serbit’, më tha shoku i vendosur për të vdekur, edhe pse është fare shtalb.
Atëherë, unë dhe shoku tjetër e kemi rrëmbyer copën e dheut të ngrirë që kishte mbi kokë Doni dhe pa një pa dy ia kemi hequr edhe copën e madhe të dheut… Të betohem se sikur të ishte ndonjë rrethanë tjetër, as pesë apo gjashtë burra, mbase nuk do t’ia dilnim që me aq lehtësi ta hiqnim atë shkëmb të madh dheu, por…”
*****
Derisa e dëgjonim të gjithë këtë rrëfim, në ato çaste, serbët kanë filluar që, nga Vranidolli, të shtinin edhe mbi ne. Unë dhe Enveri ishim në një vend të papërshtatshëm. Ishin armë të rënda artilerie ndërsa ne ishim mbrapa gurëve të Shkëmbit të Majacit, por që, në një masë ekspozohej para serbëve. Ndaj i thash Ganiut se do të ishte mirë që të largoheshim nga këtu, ngase një predhë e vetme mund të na merrte në qafë të gjithëve. Nganjëherë, më të rrezikshme se predhat ishin gurët që sfiliteshin dhe të bënin përshesh. Pastaj, ishim në pozitë të atillë që mund të bëheshim edhe cak i mirë i snajperistëve serb, kështu që, kemi marrë të vraponim të gjithë në drejtim të një pylli, bukur të dendur. Është interesante se, këtë pjesë të vrapimit dhe të komunikimit tonë e kam të regjistruar në diktafon, por, se si e kisha shtypur pullën e regjistrimit nuk e mbaja mend.
Me Ganiun dhe disa ushtarë të tjerë kemi ngarendë shpejtë nëpër një përpjetëze dhe kur arritëm në cak, as vet nuk e kisha të qartë se përse nuk u lodha aspak! Pastaj, në pozicionin ku gjendesha edhe unë, erdhën edhe përforcime të reja. U gëzuam kur at erdhi “Mësuesi”, një komandant i pikës që e kisha njohur në Buricë. “Mësuesi” ishte nga Revuqi dhe atë burrë (mendoj se për shkak të emrit luftarak duhet të ketë qenë mësues prej së vërteti) sa herë që vi në luftime në Llap, e takoj. Është një prej ushtarëve për të cilin prore, nga çdokush që e njeh dhe ka pasur të bëjë me te, qoftë epror i lartë apo edhe ushtar i thjeshtë, fliten fjalët më të përzgjedhura. “Mësuesi” e ka mitralozin e tij që tashmë e di se është i tiji, ndërsa ushtarët me të cilët erdhi në Majac, në një pikë të caktuar e vendosin “Gulinovin” dhe minahedhësit e mëdhenj të UÇK-së.
Luftimet e furishme vazhdojnë edhe për një kohë bukur të gjatë.
Pastaj, nga eprorët dhe ushtarët marr vesh se gjatë tërë asaj dite, mu në vijat e para të luftimeve gjendej edhe Komandant Remi, komandanti i Zonës Operative të Llapit, një prej luftëtarëve shumë të guximshëm që kam njohur, po ashtu edhe oficeri për Moral Informim dhe Politikë i ZOLL, Fatmir Humolli, ndërsa andej nga Sallobaja po luftonte një prej luftëtarëve më të paepur që kam takuar në luftën e Kosovës, Latif Gashi me njësitin e tij të jashtëzakonshëm. Remi, Lata dhe Fatmiri bashkë u kishin dhënë zemër ushtarëve të tjerë, duke u bërë shembull për ta.
Në bunkerin, tek pika e parë, Remi dhe Fatmiri kishin pasur një episod interesant, ngase, kur ishin afruar, bukur afër, serbët, “gullinovi”, prapa cilit gjendej një ushtarë vendës (me mustaqe karakteristike) ishte bllokuar. Por lufta e këtyre të dyve, bashkë me ushtarët tjerë të Majacit dhe të Llapashticës, ishte e paepur dhe serbët u detyruan të tërhiqeshin.
Ndërsa, në Sallabajë, Latif Gashi, gjatë gjithë ditës kishte vepruar me snajper, por serbët, edhe pse, pak as shumë e dinin se ku mund të ndodhej, qëlluan mbi të dhe shoqëruesit e tij, me breshëri të pandërprera, por, megjithatë, për fat, nuk e qëlluan. Bile, shtëpinë nga e cila vepronte Lata, serbët e kishin goditur, më shumë herë me top, por Lata me shokë kishin vazhduar të luftonin, pa lëvizur vendi.
Diku, pak para se muzgu ta “përqafonte Majacin, nën kreshtat e larta të kësaj pjese të Llapit, ndodhi edhe befasia e dytë për mua. Fshatarët, majacasit, erdhën atje lartë, ku ishim ne në pozicione dhe na e sollën bukën. Bukë për të gjithë, dhe ujë. Mirëpo, e veçanta ishte se ato pogaçe, më të shijshme në jetë që i kisha ngrënë, ishin gatuar nga disa burra të fshatit, ngase gratë dhe fëmijët ishin strehuar në vende më të sigurta, jashtë fshatit. Ama mirë se, dhe jo vetëm nga shkaku se ishim të uritur si ujqërit.
*****
Pasi u lëshua nata, tashmë mund të bëheshin edhe bilancet e ditës. Me Ganiun shkuam deri te zyra e shtabit lokal të UÇK-së. Me sa e dinim të gjithë, përveç dy të plagosurve lehtë, të cilët i përmenda më lartë (njëri nga ciflat e granatës, ndërsa tjetri ishte tronditur bukur shumë nga detonimi i granatës që kishte rënë afër tij dhe kishte marramendje) humbje tjera nuk kishim në radhët tona.
Te shtabi takoj Selamiun. Është vërtetë trim dhe trimërinë e tij e konfirmoi edhe sot. Mirëpo, vetë Zoti e kishte shpëtuar pa rënë në pusi, Zoti dhe një majancas i cili nga një shtëpi, çuditërisht afër vijave të para të luftimeve, e kishte vëzhguar tërë atë çfarë po ngjante aty afër.
“Unë po e vëzhgoja rrjedhën e ngjarjeve. Një grup serbësh ishin futur në istikamet e ushtarëve tanë dhe nuk po vepronin fare. Kur artileria jonë kundërsulmoi, ndërsa serbët po tërhiqeshin, disa nga ushtarët tanë po vraponin drejtë istikameve që të riktheheshin në pozicionet e tyre. Në fakt, ata po binin në pritë të serbëve njëqind përqind. Ishin shtatë, apo tetë ushtarë. Unë atëherë kam filluar të thërras me sa zë kam: ‘O ruajuni ku po shkoni se shkijet janë në istikame! O mos shkoni andej, bre!’, na tregon burri me goxha moshë. “Nuk e di sa herë kam thirrur dhe dikur, në ndonjë 70-80 metra larg istikameve ushtarët tanë janë ndaluar dhe kanë filluar të shtinë mbi pozicionet që i kishin zënë serbët. Fati që serbët janë qyqër dhe nuk guxonin të shtinin mbi ta se të gjithë mund t’i vrisnin”, fliste ky burrë mbi 55 vjeç.
Ajo që ishte interesante është se ata që po e dëgjonin këtë rrëfim, ndonjë gjysmë ore para se të takohesha unë me Selamiun, sikur nuk i besuan atyre që po thuheshin. I thash Ganiut:
“Po pse nuk po e besojnë rrëfimin e këtij burri!?”
“E ka adet ky, jo rrallë t’i sajojë gjërat vetëm që të duket i rëndësishëm para të tjerëve”, më tha Ganiu. “Ky di të krijojë hiperbola.”
Ndërsa, Selamiu, për këtë rrëfim që e kisha dëgjuar, fare më thotë:
“Dëgjo miku im, po të mos të ishte një fshatar që na thirri nga një shtëpi, unë dhe nja gjashtë apo shtatë shokë, të njësitit tim, tashti do të ishim të vrarë nga serbët. Ne po ktheheshim në istikamet tona pa e ditur se një grup i ushtarëve serbë ishte aty i vendosur, tashmë”.
E shikova Ganiun me habi.
*****
Te shtabi takova edhe shumë eprorë dhe ushtarë të UÇK-së. E takova, Bacin, Shefqet Humollin, babain e Fatmir Humollit, një burrë fantastik, i cili jo vetëm se është trim, por është edhe shumë mendjehollë. Si baba ashtu edhe i biri, do të thoshte populli. Pastaj e takova edhe Komandant Kosën, komandantin e batalionit të atyshëm; një oficer me akademi ushtarake, me të cilin po takohesha për herë të parë në luftë. U takova edhe me Ilirin, komandantin e Njësisë Speciale të Komandës me të cilin, që nga beteja e Qafës së Kaçanollit kishim lidhur miqësi, pastaj edhe Afrim Kuletën, një ushtar trim dhe për çdo respekt…
Po ashtu e takova edhe Muhamet Latifin, komandantin e Mbrojtjes Civile në Zonën Operative të Llapit. Me Muhametin kemi mbajmë edhe lidhje të moçme familjare. Ai rrjedh nga një familje për të cilën kam respekt të veçantë. Është Monoll i Pollatës. Më herët llapjanët flisnin: “Monolli nuk vdes në shtrat kurrë”. Muhameti është vërtetë trim.
Më kujtohet viti 1990. Ishte shtatori kur serbët e rrethuan lagjen e tyre në Pollatë dhe me atë rast u vranë Besimi dhe Skënderi. Besimi ishte djali i mësuesit Hashim, një prej veteranëve të arsimit në Llap. Po ashtu, para tre vjetësh serbët kësaj familjeje i vranë edhe Shefki Monollin, i cili u ndëshkua nga gjakësit për shkak të aktiviteteve të tija politike. Po ashtu e njihja njohur edhe Tafil Latifin, vëllain e Besimit, i cili kishte bërë burg në Stara Gradishkë me Adem Demaçin. Nga Monollët e kam njohur edhe një burrë tjetër të madh, Avdiun, një ish i burgosur politik dhe frymëzues i madh. Nga ai kam “vjedhur” shumë mendime dhe ngjarje që m’i rrëfente dikur. Avdiu ka vdekur pa e parë ushtrinë tonë dhe pa e pritur këtë ditë që po shkëlqen në horizontet tona të afërta, ditën e Lirisë. Por, ama, jam i bindur se prehet i qetë në varrin e tij.
Pastaj u takova edhe me Fatmir Humollin, e pas pak edhe me Komandant Remin. Ky i fundit u befasua kur më pa.
“A të thash me telefon që të mos vish”, më tha Remi.
“A të thash se do të vi: gjallë a vdekur”, ia ktheva.
E kuptova se Remi ishte personi me të cilin kisha biseduar në telefon mëngjesin e asaj dite kur kisha bërë telefonatën nga Prishtina.
U morëm ngryk dhe qeshëm.
Pastaj komandanti dha urdhër që fshatarët t’i marrin armët dhe të shkojnë në istikame, ngase ushtarët kishin nevojë për pushim, meqë, dita tjetër, pritej se, do të sillte edhe luftime më të ashpra.
Unë me një grup të madh të ushtarëve atë natë e bëra në shtëpinë e një haxhiu, ndonjë nëntëdhjetë vjeç. Ishte burrë i mirë dhe shumë i kthjellët. Kemi biseduar gjatë asaj nate. Të gjithë ishin të sigurt se nesër do të kishte luftime të pamëshirshme në atë pjesë të vendit.
Pastaj, dikush na tregoi se po binte borë.
Latën, Lekson Zhubin, Skënder Krasniqit as Lirakun Çelajn nuk i takova asaj dite. Kjo ishte beteja e parë e mikut tim, Lirakut. Ai e ka një vullnet të jashtëzakonshëm për luftën. Në Majac kishte ardhur bashkë me Njësinë Speciale të ZOLL, edhe pse nuk ishte rikuperuar mirë nga operacioni që e kishte kryer në shpinë, vetëm disa javë më përpara.
Një lajm tjetër erdhi lajmi i keq se dy ushtarë tanët ishin zhdukur. Nuk dihej asgjë për fatin e tyre. Kjo gjë na e bëri natën shumë të gjatë.
(vijon)
Fotografitë:
1. Pylli mbi Majac ku ishin strehuar fshatarët e detyruar që të iknin nga shtëpitë e tyre
2. Latif Gashi
3. Muhamet Latifi
4. Ushtarët e UÇK-së në vijën e parë të frontit
5 Të ikur nga lufta në Llap
/Rrëfimi dhe fotografitë janë publikuar në llogarinë e gazetarit të njohur, reporterit të luftës, në Facebook, Haqif Mulliqit/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *