Kryetarët e disa kryeqyteteve të Evropës janë mashtruar gjatë një takimi virtual me video përmes teknologjisë “Deepfake”, duke menduar se janë në një lidhje me kryetarin e Kievit të Ukrainës, Vitali Klitschko.
Kryetarja e Berlinit, Franziska Giffey, ka marrë pjesë në një videokonferencë të planifikuar në platformën Webex të premten, me një person, që sipas saj, dukej dhe tingëllonte si Klitschko, transmeton Gazeta Express.
Pas 15 minutave, kur kryetari i supozuar i Kievit filloi të fliste në mënyrë të pazakontë, se si refugjatët ukrainas po mashtrojnë sistemin shtetëror të Gjermanisë për beneficione dhe kërkoi që ata të kthehen prapa në Ukrainë për shërbime ushtarake, Giffey kishte nisur të dyshojë.
“Duket se kishim të bëjmë me një Deepfake”, ka deklaruar zyra e Giffeyt.
Zyra e kryetarit të Madridit të Spanjës ka ngritur çështjen në polici lidhur me personifikimin e Klitschkos gjatë videothirrjes me kryetarin Jose Luis Martines-Almeida.
Kryetari i Vjenës, Michael Ludwig ka njoftuar përmes Twitterit se kishte marrë pjesë në një thirrje me Klitsckon të mërkurën, ndërkaq njoftimi i njëjtë është fshirë të dielën. Pas pak, ishte lëshuar njoftimi i radhës se kryetari Ludwig ishte viktime një krimi kibernetik.
Pjesë e videokonferencës ishin edhe të tjerë kryetarë të kryeqendrave evropiane.
Teknologjia “Deepfake” përdor një lloj të inteligjencës artificiale, që njihet me emrin “mësim i thellë”, për të krijuar imazhin e një ngjarjeje të rrejshme, apo për të krijuar animacione të politikanëve për të dhënë fjalime e deklarata të rreme.