Hamasi ka thënë në një deklaratë se lideri i saj, Ismail Haniyeh, është vrarë në rezidencën e tij në Teheran në një bastisje nga Izraeli, raporton BBC, përcjellë pressonline.info.

Grupi palestinez që kontrollon Gazën tha se Haniyeh “u vra në një sulm të pabesë”.

Izraeli ende nuk është përgjigjur apo të këtë bërë ndonjë deklaratë.

“Lëvizja e Rezistencës Islamike Hamas vajton për popullin tonë të madh palestinez, për kombin arab dhe islamik dhe për të gjithë njerëzit e lirë të botës”, thuhet në deklaratë.

Në ndërkohë detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Raportohet se 62-vjeçari u eliminua nga Izraeli në një sulm me raketë në rezidencën e tij private në Teheran, shkruan media saudite “Al Hadath”.

Ndërkohë mësohet se raketa goditi ndërtesën rreth orës lokale 02:00.

“Fars News”, e cila është e lidhur me gardën revolucionare të Iranit, raportoi gjithashtu se Haniyeh po qëndronte në një rezidencë për veteranët në veri të Teheranit dhe se u vra nga një raketë e lëshuar nga ajri.

Hamasi ka deklaruar se Haniyeh u vra së bashku me truprojën e tij. Sulmi ndodhi pasi lideri i Hamasit mori pjesë në inaugurimin e presidentit iranian Masoud Pezeshkian.

Ndërkohë në prill, sulmet ajrore izraelite vranë tre nga djemtë e Haniyeh dhe katër nga nipërit e tij, sipas Hamasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *