Barcelona u rikthye pas pushimit (ndeshjeve të ekipeve kombëtare) ashtu siç e kishte lënë kampionatin, duke shënuar 5 gola. Ndaj Sevilla, katalanasit morën fitoren e tretë të thellë sezonale, pas 5-1 ndaj Villarrealit dhe 5-0 ndaj Young Boys, pa harruar 7-0 ndaj Real Valladolidit. Një ndeshje që bëri të ndihet krenar Hansi Flick, i cili u shfaq më se i kënaqur në konferencën për shtyp, pas fitores 5-1:
“Ishte e rëndësishme të ktheheshim me fitore, pas pushimit. Po kalojmë një moment shumë të mire, megjithatë duhet të vazhdojmë t’i përmirësojmë gjërat”.
Barça e la ndeshjen gjysmë të mbyllur në pjesën e parë, por vazhdon të insistojë në idenë për të mos u dorëzuar: “Mendoj se luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë. Pas shënimit të tre golave ndihesh më mirë, por duhet të vazhdosh përpara, të mos ngelesh pas, sepse në të kundërt i jep mundësi rivalit”.
Hansi Flick i merr gjërat hap pas hapi: “Çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm të luash kundër klubeve të mëdha. Sevilla ishte gjithashtu e vështirë. Jemi kthyer shumë mirë nga pushimi. Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Sonte festojmë rezultatin dhe nesër nisim përgatitjet për ndeshjen me Bayernin”.
Gjermani shpjegoi edhe lëvizjet në formacion: “Menduam se De Jong do të niste titullar, por kishte siklet dhe vendosëm që të mos rrezikonim. Mund të kishte luajtur disa minuta, por ne vendosëm për Gavin. Jam shumë i lumtur për Gavin, ishte e rëndësishme për të dhe ekipin që të kthehej. Sonte ishte momenti i tij. Duke qenë në stol, ëndrra e tij ishte të luante qoftë edhe për pesë minuta. I gjithë klubi është i lumtur për të”.
Robert Lewandowski nuk ndalet së shënuari, ndaj merr lavdet e trajnerit të vet: “Dueli i tij të mërkurën me Harry Kane? Le të mos i personalizojmë gjërat, nuk do të jetë një luftë mes dy lojtarëve. Është e rëndësishme që Robert po shënon rregullisht, jam i lumtur për të”.
E vetmja autokritikë e Flick ishte për golin e pësuar: “Duhej ta shmangnim pësimin e golit të 4-1, sepse gjithmonë duhet të ushtrojmë presion ndaj kujtdo që e ka topin”.
I pyetur nëse ata që kthehen nga lëndimet janë gati për të performuar, Hansi u shpreh me forcë: “Të gjithë lojtarët janë të përgatitur. Duhet të përgatitemi për çdo ndeshje, grupi është gati. Shpresoj që të luajnë në 100% të tyre, më pas do ta shohim rezultatin”.