Dy të burgosur kanë vdekur dje, për dy rastet ka dhënë detaje SHKK. Sipas tyre bëhet fjalë për vetëvrasjen e A.G., dhe vdekjen M.R., që ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore.

Njoftimi i plotë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve:

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve informojnë opinionin publik se sot, pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.R. Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut.

Gjithashtu, ju informojmë se në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G. Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjet e të ndjerëve.

Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes për të dyja rastet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *