Pasi nuk u lejuan të hyjnë në sallën e Kuvendit, deputetët e përjashtuar kanë zgjedhur të protestojnë, duke u janë ulur këmbëkryq në shkallët e Parlamentit.
Deputetët e PD vijojnë të jenë të përjashtuar dhe punonjësit e gardës nuk i kanë lejuar të hyjnë në Kuvend. Para parlamentit është vendosur dhe një gardh metalik.
Ndërkohë, një pjesë e deputetëve që arritën të hynin brenda, kanë dalë sërish jashtë duke marrë me vete dhe karriget e tyre, të cilat i kanë kthyer përmbys në shkallët e godinës. Nuk dihet nëse edhe sot do jetë i njëjti skenar si në seancat e mëparshme, ku karrigeve iu vendos flaka. Për këtë, 20 deputetë janë përjashtuar, e po ashtu, nga paga e tyre do mbahen kostot për blerjen e karrigeve të reja.
“Jemi mësuar tani, dy herë kam shkuar unë në SPAK, 3 herë Bardhi, 4 herë Korreshi. Atje jemi ne. Në SPAK nuk shkohet për tendera, korrupsion, as për të fortët, shkohet për të djegur karriget. Po këto me turp do jenë në shtëpi të vet, para popullit e para Zotit. Parlamenti është këtu, nuk është atje brenda, le të rrinë. Çfarë kemi bërë ne? Çfarë ka bërë Korreshi, Bardhi që na përjashton 40 ditë? I vetmi Kuvend ku përjashtohemi pa rregullore”– tha Dashnor Sula.