Kur Sophie Sorschag vendosi të garojë për Kosovën, kjo vlerësohej fitore e madhe për sportin e vendit në përgjithësi. Nisi të përmendej edhe medalja në Lojërat Olimpike Dimërore. Sorschagu në dimrin e kaluar i zhvilloi 13 gara për Kosovën në kërcime me ski. Por pasi nuk po merrte përkrahje financiare nga Kosova, ajo vendosi t’i japë fund karrierës. Thotë se ka investuar 100 mijë euro dhe ka hyrë në borxhe. Këto mjete nuk i janë kompensuar, ndonëse kjo parashihej në kontratën e firmosur. Sorschag ka dhënë për KOHËN intervistën e parë prej se ka vendosur t’i japë fund karrierës në kërcime me ski. Në tekstin e mëposhtëm paraqiten qëndrimet e saj

Me shumë entuziazëm ishte prezantuar afrimi i austriakes Sophie Sorschag në ekipin e Kosovës. Sorschag është garuese në kërcime me ski, disiplinë që nuk është e zhvilluar në Kosovë. Kosova nuk ka pasur ndonjëherë garues në kërcime me ski, ndërsa me Sorschagun vlerësohej se vendi ka fituar një garuese me potencial shumë të madh. Madje u përmend edhe medalja në Lojërat Olimpike Dimërore, që ende është shumë e largët për Kosovën.

Sorschag, tani 25-vjeçare, kishte medalje të artë botërore në konkurrencë ekipore. Medaljen e artë e kishte fituar me Austrinë në vitin 2021. Për Austrinë kishte edhe suksese të tjera, ndërsa pas disa telasheve me Federatën austriake kishte kërkuar vend tjetër për të prezantuar.

Në fillim të vitit 2023 u bë e ditur se Sorschag do të garonte për Kosovën. Më 1 dhjetor të vitit të kaluar ajo e zhvilloi garën e parë për Kosovën, pasi e sanoi një lëndim që e kishte munduar për një kohë. Për Kosovën ka garuar deri më 14 janar të këtij viti.

Më pas për Sorschagun nuk u tha asnjë fjalë. As nga Federata Skitare e Kosovës e as nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Këto dy institucione e kishin prezantuar me bujë Sorschagun dhe kishin paralajmëruar sukseset e mëdha të saj me Kosovën.

Prej atëherë nuk ka folur as garuesja e Kosovës. Dhe këtë javë, pas përpjekjeve të vazhdueshme, austriakja me pasaportë të Kosovës ka dhënë një intervistë të gjatë për KOHËN. Intervista është bërë me shkrim, ndërsa Sorschag ka treguar se pse më nuk po garon për Kosovën në kërcime me ski.

Jo shumë vende të botës kanë garues në kërcime me ski. Prandaj ardhja, thuajse e papritur, e Sorschagut vlerësohej fitore e madhe për Kosovën. Ndër të tjera, edhe për shkak të potencialit të madh që vlerësohej se kishte.

Sorschag thotë se më nuk po garon për Kosovën pasi Federata Skitare e Kosovës nuk i është përmbajtur kontratës së nënshkruar.

“Arsyeja kryesore pse nuk po garoj më në kërcime me ski është mungesa e përkrahjes financiare. Projekti ynë i përbashkët filloi më 25 janar 2023, kur të dyja palët kemi firmosur një marrëveshje bashkëpunimi. Në Trieste, marrëveshja është nënshkruar nga Federata e Skijimit e Kosovës dhe nga unë. Kemi pasur, po ashtu, shtrëngim duarsh në shenjë besimi me anëtarët e Federatës Skitare të Kosovës dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës në lidhje me projektin tonë për kërcimet me ski dhe ëndrrën olimpike”, ka thënë Sorschag në fillim të intervistës së gjatë për KOHËN.

Ajo ka treguar se nuk ka pranuar asnjë cent për projektin e përbashkët për kërcime me ski dhe me synimin e madh për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026. Thotë se bilanci në llogarinë e saj bankare në Kosovë ishte dhe vazhdon të jetë negativ.

Obligimet e saj në kontratë, Sorschag thotë se kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi, i ka përmbledhur me një fjali.

“Kur të ulesh në kodër dhe ta përfaqësosh flamurin e Kosovës në garat e kërcimeve me ski që shfaqen në televizor, ju keni bërë çdo gjë për ne”, ka thënë Kelmendi, sipas austriakes.

Por Sorschagut, thotë se kjo për të nuk mjaftonte. Ajo e ka vizituar disa herë Kosovën dhe thotë se i kanë pëlqyer shumë vendi, ushqimi e sidomos njerëzit. Tregon se e kanë pritur shumë ngrohtë. Austriakja thekson se ka dashur që qytetarët e Kosovës t’i bëjë krenarë, që të jetë e suksesshme dhe ta prezantojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore 2026.

Marrëveshja që nuk u respektua

Kontrata e firmosur i garantonte skitares përkrahje institucionale, shtetësinë dhe “kushtet për stërvitje dhe gara në disiplinën e kërcimeve me ski”. Kushtet për stërvitje e gara, sipas kontratës, janë përgjegjësi e Federatës Skitare të Kosovës.

“Fatkeqësisht për të gjithë ne, unë e përmbusha 100 për qind pjesën time të marrëveshjes. Por gjithçka deri më sot e kam paguar vetë, dhe kështu mund të them që FSK-ja nuk e përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes”, thotë Sorschag.

Për mosrespektim të marrëveshjes, ajo iu ka shkruar disa herë drejtuesve të skijimit në Kosovë dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës. Por nuk mori asnjëherë përgjigje.

Para se të nënshkruhej marrëveshja, Federata kishte kërkuar informata për buxhetin vjetor dhe ishte pajtuar me atë që iu prezantua. Sorschag thotë se pa premtim të besueshëm se do t’i mbuloheshin shpenzimet, nuk do ta nënshkruante marrëveshjen. Si ish-kampione e botës, Sorschag thekson se di saktësisht se çka i duhet një sportisti profesionist.

Borxhi për shpenzimet prej 100 mijë eurosh

Disiplina e kërcimeve me ski vlerësohet e shtrenjtë. Për këtë arsye dhe për mungesë të infrastrukturës, kjo disiplinë është e zhvilluar në pak vende, kryesisht në Evropë. Austria e ka shumë të zhvilluar këtë disiplinë të sporteve dimërore. Garuesit më të mirë të saj nuk kanë telashe për të mbuluar shpenzimet.

Por pasi nisi ta përfaqësojë Kosovën, Sorschag nisi të ketë telashe.

“Pos që nuk kisha asnjë përkrahje, është dashur të paguaj vetë për të gjitha. Kjo nuk përfshin vetëm shpenzimet për helmetë, kostume, syze, çizme, lidhëse e gjëra të tjera, por edhe pagën mujore të trajnerit, biletën mujore për fitnes, tarifën e ngjitjes në kodër, shpenzimet për sigurimet speciale për këtë sport, pajisjet e stërvitjes, kostot e udhëtimit, duke përfshirë edhe fluturimet për gara si në Japoni e Norvegji, për mua dhe trajnerin. Në total ishin më shumë se 100 mijë euro për sezon, që nuk është e mundur të mbulohen nga një studente. Kështu që më duhej të huazoja shumë para. Krahas studimeve, unë ende duhet të punoj për t’ia dal që të mbijetoj dhe të paguaj paratë që mora hua”, thotë Sorschag.

Ajo përmend Mitja Valiqin dhe Janez Deklevan si përgjegjës për gjetjen e sponsorëve. Thotë se ata ishin në kontakt me trajnerin Jure Radelj. Këta tre i kishin thënë se nuk do të duhej të brengosej për para, por vetëm të përgatitej për ta prezantuar Kosovën në garat e kërcimeve me ski. Edhe kur Sorschag ka kontaktuar vetë me sponsorë potencialë dhe për këtë i tregonte trajnerit slloven Radelj, ajo thotë se sponsorët “zhdukeshin” brenda një kohe të shkurtër. Ajo mbeti pa asnjë sponsor dhe rrethanat si largoheshin sponsorët potencial i duken të çuditshme.

Trajneri Radelj i kishte thënë vazhdimisht se do t’i ktheheshin të gjitha paratë e investuara, por kjo nuk ka ndodhur.

Sorschag thotë se aspekti financiar lidhet edhe me refuzimin që Federata Ndërkombëtare e Skijimit (FIS) i bëri kërkesës së saj për ndryshim të licencës nga ajo e Austrisë në të Kosovës, në maj të vitit 2023. Për këtë refuzim nuk ishte njoftuar nga Federata kosovare e as nga trajneri i saj dhe nga të përfshirët e tjerë.

Pasi babai i saj e kuptoi këtë në shtator, Sorschag nisi angazhimin personal për të ndryshuar vendin që përfaqëson. Ndër të tjera, kishte përgatitur dosje prej 34 faqesh dhe kishte pasur shumë telefonata me drejtues e zyrtarë të FIS-it, që në fund sollën ndryshimin e licencës së saj nga e Austrisë në të Kosovës. Kështu Sorschagu fitoi të drejtën të garojë për Kosovën.

“Nuk është detyrë e një sportisti profesionist të eliminojë këto padrejtësi të FIS-it apo të menaxhojë blerjen e biletave. Sportisti profesionist duhet të fokusohet vetëm në stërvitje e gara”, ka thënë Sorschag, duke drejtuar gishtin nga Federata e Skijimit të Kosovës.

Austriakja ka thënë se Federata kosovare ka “bllokuar” idenë e saj për ta publikuar një video përmes së cilës do të kërkonte fonde për paraqitje në garat e Kupës së Botës. Ajo është e bindur se përkrahja nuk do të mungonte dhe se pas vitit të parë sponsorët do të afroheshin.

Dhe pasi bleu biletat për në Norvegji, për pjesëmarrje në garat e Kupës së Botës, Sorschag dërgoi faturat në Federatën e Skijimit të Kosovës. Por asnjëherë nuk i mori paratë për të mbuluar shpenzimet që i kishte dhënë për ato bileta. Në Lillehammer të Norvegjisë ishin garat e para në të cilat Sophie e prezantoi Kosovën. Bëhet fjalë për garat e mbajtura më 1, 2 e 3 dhjetor të vitit të kaluar. Ajo kishte një vend të 31-të, një vend të 33-të dhe një vend të 52-të. Më pas ka garuar në Zvicër, Gjermani, Austri e Japoni.

Edhe trajneri slloven Radelj, sipas Sorschagut, e humbi ngadalë interesimin, ndërsa edhe pajisjet e saj nuk ishin në nivel me pajisjet e garueseve të tjera.

Vendimi për t’i dhënë fund karrierës dhe angazhimet shtesë

Në fillim të këtij viti Sophie Sorschag vendosi t’i japë fund karrierës në kërcime me ski për shkak të mungesës së përkrahjes. Në shkurt kishte një komunikim me Milaim Kelmendin, kryetarin e Federatës së Skijimit të Kosovës. Ai i tha të takohej me Valiçin e Deklevan. Takimi ishte zhvilluar më 22 shkurt. Ishte arritur pajtimi që të vazhdohej tutje, duke u vlerësuar se nuk bëhej fjalë për shumë para.

Por prej atëherë Sorschag nuk mori përgjigje nga këta dy e as nga Federata kosovare e Skijimit. Ka dërguar mesazhe dhe ka bërë telefonata në prill, maj, korrik e së fundi para një muaji.

“Në mungesë të komunikimit nga ana e tyre, projekti ‘kërcimet me ski në Kosovë’ u zhduk për një kohë të shkurtër. Pa asnjë dyshim mund të them se shumë njerëz që merren me kërcime me ski më identifikuan dhe më cilësuan si një nga talentet më të mëdha të kërcimeve me ski të kësaj gjenerate. Dhe kjo më bën, përkundër të gjitha gjërave të pakëndshme, krenare”, thotë Sorschag.

Ajo i ka të evidentuara 13 gara për Kosovën. Të fundit e ka më 14 janar në Sapporo të Japonisë. Me gjasë edhe do të jetë e fundit që Sophie Sorschag e ka zhvilluar duke e prezantuar Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *