Një garuese taekwondiste, vetëm 8-vjeçare nga Kosova, u godit me shuplakë nga trajneri i saj në një garë në Tiranë, ku më pas u mësua se në fakt ai ishte babai i saj.
Në videon e shpërndarë nga mediat anembanë rajonit, shihet se si trajneri në fjalë e tërheq fillimisht garuesen për helmete, pastaj e godet me shuplakë.
Reagimet ishin të shumta nga opinioni sportiv në përgjithësi, teksa tani ka ardhur edhe reagimi i trajnerit nga Suhareka, Valmir Fetiu.
Në një prononcim të tij për Koha.netFetiu fillimisht e ka bërë me dije se ai është babai i vajzës dhe se gjesti i tij ishte vetëm sa për ta qetësuar atë.
“Ajo ishte për ta qetësuar, pasi e mori afër zemrës. Ishte shuplakë e vogël, ishte për vajzën time. Ajo nisi të qajë dhe të bërtas dhe unë nuk doja ta shoh para tjerëve në atë gjendje”, ka thënë fillimisht Fetiu.
“Ishte garë për vendin e parë. Ajo zuri vendin e dytë, ishte shumë më e mirë se garuesja nga Serbia. Është vajzë 8-vjeçare dhe filloi të qajë. I thash të qetësohet”.
“Nuk ka qenë shuplakë, një prekje në fytyrë për ta qetësuar dhe për t’i thënë se ka përfunduar dhe të shoh ta përshëndes ashtu siç i ka hije një sportisti”.
Në fund Fetiu u shpreh se gjyqtari i ndeshjes e ka dëmtuar shumë vajzën e tij gjatë këtij dueli.
“Ajo është shumë e mirë. Ajo ka qenë në vend të parë. Humbi, mori vendin e dytë në Evropian. Deri në finale kaloi dy luftëra. Ishte puna me serben dhe më e ndjeshme dhe ishte arsyeja se ishte shumë më e mirë se ajo”.
“ Nuk e di pse u bllokua, por me siguri ka ndikuar pse të humb nga serbja. Ajo gjithmonë ia kapte këmbën dhe gjyqtari ka anuar kah ajo. U mbushën shumë gjëra, e kapa dhe i thash të ndalet dhe të bëhemi gati për garat tjera”.
“Nuk mund ta dojë askush më shumë se unë fëmijën tim. E shkrijë gjithë pasurinë pas fëmijës tim, është logjike. Ajo ishte për ta qetësuar. U përgatit për ta fituar vendin e parë”, deklaroi Fetiu.