Shkrimtarja na njofton për ndjesinë që e solli në jetë romain e saj më të ri:
“Mbetet thuajse gjithnjë e njëjta ndjesi, e cila ka diçka përmbushëse, diçka magjike, por dhe të vërtetë njëkohësisht.
Një formë e materializuar e mendimeve, që janë tjerrur e përçapur në qënien tënde, që janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë e sfidues, të ethshëm e të nevojshëm për të ruajtur qënien tënde në formën që të bën të jesh vetvetja.
“ Ava” tashmë e dalë nga mendja, i përket lexuesve për t’i ftuar në rrugëtimin, përsiatjet, dilemat, të errëtat e të zbehtat rrugica ku qënia modifikohet për t’u përshtatur e mbijetuar. Por mendja njerëzore është shumë më tepër se mbijetesa, është shumë më tepër edhe se vetë jetesa.
Nuk pres që lexuesit të përjetojnë të njëjtat ndjesi si unë, e pamundur kjo, por “ Ava” do jetë ajo gruaja e pasqyrave dhe sekreteve, që mbi gjithçka do krijojë një realitet krejt te veçantë e të papërsosur.
Është gjithnjë e njëjta ndjesi ngazëllimi e gëzimi krejt të pastër, nga ai që kemi harruar se si është, kur libri i ri pret të shfletohet. Ai është zëri yt i brendshëm, tingulli i një melodie, notat e së cilës janë kthyer në fjalë. Dhe ndryshe nga gjithçka tjetër, ti je e lumtur ta ndash me të tjerët atë formë mendore që tashmë ka marrë shpirt, jetë e krahë.
Dhe ai realitet që frymon në faqet e një libri, quhet “ AVA”!-Brunilda Zllami

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *