Dje në Malishevë, në kuadër të fillimit të shënimit të festave kombëtare të Nëntorit, nga Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” u bë promovimi i përmbledhjes poetike “Pesha e fjalës”, e autorit Sahit Morina.
Para një auditoriumi artdashës e artpromovues u fol për peshën artistike të librit me poezi “Pesha e fjalës”.
Bëhet fjalë për poezi me peshë, të përzgjedhura të një periudhe prej 4 dekadash, të autorit i cili ka qenë protogonist i rëndësishëm i të gjitha ngjarjeve më të rëndësshme të kohës.
Krejt çka u tha në promovim mund ta ndiqni në këtë incizim të plotë nga Malisheva RTV, duke klikuar në linkun e më poshtëm:

Prend BUZHALA

PËRMASAT E THËNIES POETIKE

(Sahit Morina: “Pesha e fjalës”, poezi, 2024)

Poeti e ka peshën e fjalës së tij. Fjalët kanë peshë. Fjalëtemën poetike “pesha” dhe togfjalëshin po ashtu poetik “Pesha e fjalës”, le t’i lexojmë si nocione e fjalëshprehje simbolike dhe metaforike. Referenca e saj na drejton kah rëndësia e ndikimit të fjalëve në krijimin dhe ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe historisë. E, pra, përpos përmasës artistike, ajo ka ngarkesë historike, emocionale, simbolike, mitologjike etj.  Nuk është e rastësishme pse ky vëllim ndahet në tri cikle: “Akt lirie” – poezi që u bëjnë homazhe artistike dëshmorëve a që u këndojnë sakrificave për liri, “Sytë e mi” – poezi me biografema personale nëpër shtigjet e atdhesisë e të lirisë dhe “Shpjegim vetes” – poezi që shfaq reagimet personale, me preokupimet, përsiatjet dhe shqetësimet e kohës. Me paradokset e kësaj kohe që po e jetojmë. Kjo gamë tematike, motivore e ideore përfshin, pra, poezinë për luftën çlirimtare dhe dëshmorët, për atdhesinë, idealizmin dhe përjetimet personale dhe poezinë kritike për kohët moderne. Këto tri punkte thurin strukturën e tërësishme të këtij vëllimi, krijojnë një fushë të gjerë për të trajtuar artistikisht përvoja historike dhe realitete bashkëkohore, duke ofruar një zë personal për të reflektuar mbi jetën individuale dhe kolektive.

  1. Fjala dhe Udhëtari Epik

Fjalët kanë përmasat e kujtesës dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike. Disa janë të ngarkuara me kuptim dhe emocione, dhe pesha e tyre është më e madhe se sa që duket në shikim të parë. Disa fjalë peshojnë rëndë. Kjo është ajo pesha që mund të ndjehet si një peshë e rëndë dhe e fortë, e cila mund të sjellë dhimbje, shqetësim, ose ndjenjë të thellë përgjegjësie.

Kështu na duket se përsiat krijuesi Sahit Morina te vëllimi  tij i parë poetik “Pesha e fjalës”, që po e boton në moshën 59-vjeçare. Gjithsesi, kjo përgjegjësi ndaj fjalës së shkruar, do ta ketë shtyrë që të hezitojë t’i publikojë deri më tash brenda një vëllimi poetik. Edhe nga poezitë që i ka shkruar që më 1981, ai ka marrë vetëm ato që mbajnë shenjat referenciale të kohës: “pas demosntratave të vitit 1981″, siç shënon në dy poezi të tilla. Në këtë kontekst, kjo peshë fjale ndër vite, do ta përfaqësojë shpalosjen e këtyre kujtimeve, përjetimeve, përsiatjeve, ngarkesave emocionale dhe simbolike.

Po hyjmë menjëherë në leximin letrar që na e thotë poezia me të njëjtin titull “Pesha e fjalës”. Kjo poezi shpreh rëndësinë dhe thellësinë e fjalës në kontekstin e historisë dhe legjendave shqiptare. Si e tillë, ajo ka disa shtresime a nivele semantike e figurative.

 

Udhëtues epik përherë

ndjek trokun e kalit të Konstatinit 

shkëmbit të vashave Suliote

i bëhet melodi valleje

pastaj ngjitet në pirgun e kullës

të Gjergj Elez Alisë

e i shkrihet butësisht plagëve.

 

Kush është ky Udhëtar Epik legjendash?

Vargu “Udhëtues epik përherë” na sugjeron një figurë që është gjithmonë në lëvizje dhe në kërkim të historisë dhe trashëgimisë së popullit. Ky udhëtues përfaqëson figurën e historianit, poetit apo edhe të çdo individi që ndjek gjurmët e të kaluarës për t’i ruajtur kujtimet dhe legjendat e kombit. Vargu i dytë “Ndjek trokun e kalit të Konstatinit” i referohet një figure legjendare që ka lënë gjurmë në kujtesën etnike për Besën e Dhënë. Historia ndërthuret me legjendat dhe sikur ato nuk kanë kufij në mes, siç janë vashat suliote dhe kulla e Gjergj Elez Alisë, figura që personifikojnë forcën dhe guximin e traditës shqiptare, si dhe rëndësinë e ruajtjes së këtyre figurave në kujtesën kolektive. Fjalët janë të lidhura me këto legjenda dhe kanë peshë për shkak të kontekstit të tyre historik dhe emocional. Më tutje, vargu “Fjalë e mirë – fjalë e bardhë” vë në pah vlerën dhe pastërtinë e fjalëve që bartin mesazhe të rëndësishme dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Fjalët që shprehin pasion, drejtësi apo vizion. Poeti ka përzgjedhur ato përmasa të fjalës që krijojnë vetëbesim na japin forcë për t’i përballuar sfidat për arritjen e qëllimeve idealiste, siç ishin liria dhe pavarësia e Kosovës.

 

  1. Akti i përjetshëm i flijimit:

përtej kufijve të kohës dhe hapësirës

 

Cikli “Akt lirie” përfshin njëzetenjë poezi, në të cilat Sahit Morina ligjëron poetikisht për dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Brahim Islam Morina, Fehmi dhe Xhevë Lladroci, për komandantin legjendar Adem Jashari, për bacën Adem Demaçi, për Komandant Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarë, për dëshmorët Adem dhe Hajriz Morina, Imer Ramë Krasniqi, Ali Ajeti, Nuredin Gërvalla, Visar Krasniqi, Agim Mazreku, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka apo për komandant “Shpatin” dhe Heroin kombëtar Metush Krasniqi. Përfshihen edhe poezi me titujt ” Ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, “Testament”, “Flijim”, “Liria ka emër” dhe “Akt lirie”. Të gjithë këta emra përbëjnë një vazhdë emblematike të lirisë së Kosovës. Poeti i lidh në një rrëfanë këndimesh. Dhe këtë e thotë përmes poezisë katërvargëshe “Akt lirie”:

 

Kur e harruam veten

e shfajësuam kohën

dheu arbëror i nxori 

shkronjat e UÇK-së.

 

Akti i flijimit për lirinë është një nga veprat më të larta dhe të përhershme në historinë e njerëzimit, sidomos në historinë tonë. Flijimi për lirinë është një akt i përjetshëm që tejkalon kufijtë e kohës dhe hapësirës, duke lënë një gjurmë të thellë në kujtesën historike dhe atdhetare. Poeti e thur Figurën e Heroit Flijues, që e vendos jetën e tij në altar për çlirimin e  atdheut nga robëria, me vargje dhe poezi që shprehin madhështinë e këtij akti dhe rëndësinë e tij në ndërtimin e identitetit kombëtar.

Poezia “Akt lirie” shpreh ndjesinë e thellë të vetëflijimit dhe sakrificës për çlirimin e tokës sonë, duke u fokusuar në rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si simbol i rezistencës dhe lirisë. Përmes vargjeve të saj, poezia na fton të meditojmë mbi momentet kur populli vendos të sakrifikojë veten dhe të harrojë interesat individuale për ta shpëtuar atdheun. Dy vargjet e para “Kur e harruam veten/ e shfajësuam kohën” reflektojnë çastin kur individi vendos ta lërë mënjanë egon e tij dhe interesat personale, për t’u bërë pjesë e një përpjekjeje më të madhe për lirinë e kombit. “Harrimi i vetes” simbolizon aktin e dorëzimit ndaj një qëllimi më të madh, ndërsa “shfajësimi i kohës” sugjeron tejkalimin e justifikimeve dhe vështirësive që sjell koha, duke i dhënë kuptim të ri veprimit të përkushtuar për liri. Titulli “Akt lirie” është i fuqishëm dhe i ngarkuar me domethënie, duke evokuar një veprim të lartë dhe të vendosur për ta arritur lirinë. Kjo sintagmë (akt lirie) e përqendron vëmendjen në rëndësinë e veprimit, duke e vendosur lirinë si qëllim final dhe duke nxjerrë në pah rolin që individët dhe kolektivi kanë në realizimin e saj.

Dheu arbëror në këtë poezi, në poezinë shqipe dhe në traditën tonë shpirtërore e historike, ka një simbolikë të shumëfishtë, duke përfaqësuar historinë, trashëgiminë, identitetin e rrënjëve etnike dhe lidhjen e pazgjidhshme të popullit shqiptar me tokën e tij. Do ta hasim vazhdimisht këtë formulim etnik “Dheu i Arbrit” që nga De Rada e deri më sot. Ka një domethënie të veçantë në jetën dhe traditën tonë. Vargu “Kur e harruam veten” thekson një moment thelbësor në një proces të vetëdijshëm të flijimit dhe përkushtimit për një kauzë më të madhe. Harrimi i vetes, në këtë kontekst, është akt i dorëzimit total, ku njeriu vendos t’i lërë mënjanë interesat personale dhe identitetin individual në emër të diçkaje që e tejkalon atë, siç janë liria dhe mbrojtja e atdheut. Ky akt merr forma të ndryshme dhe shfaqet në nivel individual ose kolektiv, me dashurinë për atdheun, duke përfshirë sakrificën, rezistencën, protestën, burgosjen për liri, siç është edhe vetë Sahiti… Vargu “e shfajësuam kohën” përmban një tjetër reflektim të thellë mbi marrëdhënien mes njeriut dhe kohës në një kontekst historik dhe shoqëror.

 

  1. Homazhet poetike

 

Forma më e shpeshtë e këndimeve lirike te cikli i parë, është ajo e homazhit lirik. Këto krijime përmbajnë homazhe poetike ndaj heronjve dhe dëshmorëve që kanë luftuar për lirinë e kombit. Ky homazh lartëson kujtesën kombëtare për të rënët dhe nderon jo vetëm aktet e tyre heroike, por edhe vetë shpirtin e tyre, që përjetësohet në këngët e lavdisë. Dëshmorët portretizohen si figura të shenjta dhe monumentale, që kanë lënë një trashëgimi të fuqishme për brezat e ardhshëm. Poezitë e këtij cikli janë një homazh i fuqishëm për figurat heroike dhe të pavdekshme të luftës për liri. Ato përshkruajnë sakrificën e tyre si një akt personal, por edhe si përpjekje kolektive për t’i mbrojtur vlerat dhe identitetin kombëtar. Te poezia kushtuar dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, heroizmi i tyre  dhe fiigurat e tyre simbolizojnë luftën për liri dhe dashurinë për atdhe, që marshuan drejt një qëllimi të lartë dhe të ndritshëm. Kur poeti ndalet te dëshmori Brahim Islam Morina, përshkruan një pamje të zymtë të situatës historike dhe politike, vë në pah “hilet e Evropës,” që janë zbuluar hapur dhe kanë ndikuar në ëndrrën e lirisë së popullit të robëruar. “Liria është rrugë e zgjedhur,” thotë një varg që shpreh se liria nuk është dhuratë, por diçka që duhet të merret me guxim dhe përkushtim. Në poezinë “Flakadan lirie”, për shembull, epiteti “shpirt feniksi” është një nderim për shpirtin e pathyeshëm të Adem Demaçit, duke e lidhur me ringjalljen dhe qëndresën e përhershme. Homazhi për dëshmorët dhe komandantët e luftës për liri mbështetet në përdorimin e epiteteve si uverturë lirie, rreze lirie, akt lirie, flakadan lirie, flamuj lirie, rrjedhë lirie, himnizim lirie etj. epitet që shoqëron kujtimet për ta, duke i dhënë dimensione të përjetshme heroizmit të tyre. Në poezinë “Fluturimi i shqiponjave,” poet i shndërron çlirimtarët në shqiponja, simbole të fuqishme të lartësisë dhe mbizotërimit mbi vështirësitë. Ky epitetizim është përdorur me qëllim të përçimit të një vizioni madhështor për lirinë, ku ajo shfaqet si një aspiratë kombëtare, por edhe si një entitet i shenjtë dhe gjithëpërfshirës që kërkon sakrificë të vazhdueshme për ta ruajtur dhe për ta arritur.

Në poezinë “Flijim”, ku liria kërkon gjakun për ta ruajtur ngjyrën e flamurit, poeti tregon se liria nuk është thjesht një dhuratë e falur, por një realitet që duhet të fitohet me përkushtim të madh. Poezia “Buzëqeshje jetës” (Dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrocit) ndërthur natyrën epike të betejave të tyre me elemente mitologjike dhe folklorike, duke krijuar një atmosferë të fuqishme heroizmi dhe lirie. Kur Xheva bashkohet me vëllezërit e saj, poeti përdor një imazh mitologjik të kalit mitik, që simbolizon kthimin e saj në përjetësi dhe në historinë epike të kombit. Balada e lashtë kthehet me një uverturë lirie, duke lidhur të kaluarën heroike me luftën bashkëkohore për liri. Figura e Fehmiut është përshkruar përmes një simbolizmi të thellë: balli i tij ka buzëqeshje, një buzëqeshje që ngrihet mbi majat e maleve dhe derdhet në rrezet e lirisë.

Kërkova ballin e Fehmiut

dhe e gjeta në buzëqeshje

ngritur lart majëmaleve

derdhur në rreze lirie

Në vargjet përmbyllëse, gjaku i bashkëshortëve kapedanë e mbështjell Arbërinë me liri dhe flamur. Te poezia “Testament” luftëtarët aq sa janë figura historike, janë edhe shpëtimtarët që e bënë të mundur ringritjen e krenarisë kombëtare. Në poezinë “Dell atdheu” thekson ndjenjat e thella patriotike dhe përkushtimin ndaj atdheut dhe lirisë, me një fokus të veçantë në figurën e Adem Jasharit dhe simbolikën e UÇK-së. E përshkruan Adem Jasharin si një figurë që e ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin për atdheun dhe lirinë. Si te poezia për dëshmorët Adem dhe Hajriz Morina, kujtimet për dëshmorët janë të gjalla dhe të mbushura me ndjenja mallëngjyese, ashtu edhe te të tjerat, poeti e vë theksin te vendosmëria dhe guximi i dëshmorëve për të mos heshtur përballë padrejtësive dhe robërisë. Në vargje të tilla si:

 

Kombi ma kërkon bardhësinë e zemrës

për ta ruajtur bujarinë,

 

poeti shprehet se sakrifica nuk është vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Kombi kërkon pastërtinë dhe bardhësinë e zemrës, e simbolizuar në bujarinë dhe ndershmërinë, për t‘i mbajtur të gjallë vlerat morale të një shoqërie të drejtë dhe të lirë. Poezia „Fluturimi i shqiponjave” (Komandant Mujës me bashkëluftëtarë) është një himn për luftëtarët e UÇK-së, të cilët janë krahasuar me shqiponjat që fluturojnë lart mbi kufizimet dhe rreziqet e luftës. Po  veçojmë dy poezi tjera në vazhdim. Te “Plisbardhi i lirisë (Dëshmorit Imer Ramë Krasniqi)” poezia hapet me vargun “S’ka më kohë të arratiset koha,” një metaforë që nënkupton se momenti i flijimit të dëshmorit ka ndaluar rrjedhën e kohës, duke e bërë atë të pavdekshëm. Me aktin e flijimit, Imer Ramë Krasniqi ka “kapërcyer me të gjitha kohët,” duke u bashkuar me diellin – një simbol i përjetësisë dhe dritës së lirisë. Plisat e bardhë përfaqësojnë tokën e Kosovës, por edhe pastërtinë dhe përkushtimin e njerëzve të saj për liri. Te “Liria ka emër” paraqet një kontrast mes atyre që përpiqen të përçajnë dhe devijojnë nga ideali i lirisë (“kohë e kameleonëve”) dhe qëndrimit të përhershëm të heronjve që kanë derdhur gjakun e tyre për atdheun.

Homazhet e tilla poetike lidhen thellësisht me konceptet e nderimit dhe respektit. Në këtë kontekst, poezitë janë një trajtë për ta shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për dëshmorë, luftëtarë, ngjarje ose ide të veçanta që kanë ndikuar ndjeshëm në historinë më të re. Poezitë e tilla ngërthejnë edhe vizionet kryesore për lirinë, siç janë përkushtimi dhe sakrifica për liri dhe atdhe, dhe ndihma në përjetësimin e kujtimeve dhe heroizmit të dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë. Në të gjitha poezitë, vizioni kryesor është përkushtimi i thellë dhe sakrifica e dëshmorëve dhe luftëtarëve për arritjen e lirisë. Poetikisht, ky përkushtim shprehet përmes imazheve të fuqishme si “vija e gjakut” dhe “flamuri i lirisë”, që simbolizojnë lidhjen e pandashme ndërmjet jetës dhe sakrificës së individëve dhe idealit të lirisë.

 

  1. Nyjat me shpirtin

 

Te cikli i dytë poeti ende qëndron në themelet tematike të atdhesisë, edhe kur ndërthur shenja biografike e personale. Kështu, te poezia “Kujtim” ai përshkruan refleksionet mbi fëmijërinë e tij dhe ndërlidhjen me realitetin e sotëm, që është i lidhur me luftën dhe lirinë e Kosovës. Vargu “Nën pluhurin e rrugëve të lagjes” shënjon kushte të vështira dhe kohë të errëta të fëmijërisë që përkojnë me periudhën e robërisë dhe mungesës së lirisë. Një dedikim poetik për nënat ku shpreh nderimin për sakrificat e tyre dhe përkushtimin ndaj atdheut gjatë periudhës së luftës, e hasm te poezia “Letër nënave”. Kjo gamë temash e motivesh zgjerohet tutje, me reflektim mbi identitetin dhe historinë e Ilirisë dhe lidhjen e saj me të kaluarën e shekullit të VII, duke sjellë në vëmendje dhimbjen e humbjes dhe respektin për trashëgiminë kulturore (poezia “Afër koloseut”). Ka një poetizim të dhimbjes për shkak të humbjes për sa i përket rënies së kulturës dhe identitetit, dhe një nderim për të kaluarën, për trashëgiminë kulturore dhe historinë (poezia “Guri i shpuar”). E veçantë është poezia “Sytë e mi”, te e cila poeti reflekton për vuajtjet dhe dhimbjen e shkaktuar nga mungesa e lirisë dhe përpjekjen për të mbijetuar në kushte të rënda dhe ndëshkimet që kanë kaluar të burgosurit për liri në zyrat e hetuesisë. për përpjekjen për ta ruajtur identitetin dhe shpirtin në kushte të rënda dhe represive. Shprehja “Nyje me shpirtin” kumton lidhjen e fortë dhe të ndjeshme mes individit dhe ndjenjave të tij të brendshme. Sytë përfaqësojnë mundësinë për të parë dhe përjetuar vuajtjet dhe realitetin e hidhur. Sytë janë dëshmitarë të përjetimeve

 

Në mungesë të lirisë

u lidhën nyje me shpirtin

as që deshën me i pa 

këmbët e ënjtura

në zyrat e hetuesisë.

 

T “Rrënjë pellazge” barbarët simbolizojnë forcën e jashtme për shkatërrimin e besimit dhe atdheut. Udha e Konstadinit është rruga historike dhe shpirtërore e Fjalës së Dhënë dhe e ringjalljes, përmes të cilës qenia jonë kërkon ta ruajë dhe shpëtojë trashëgiminë. E kësaj fryme është edhe poezia “Malli për arbëreshët”, e cila shpreh ndjenjën e thellë të mallëngjimit dhe përkushtimit ndaj trashëgimisë dhe kulturës arbëreshe. Shqipëria personifikohet si një figurë nëne e dashur dhe e rëndësishme (poezia (”Nënë Shqipëri”).

Atdhesia edhe te ky cikël poetik, është një ndjenjë e thellë dhe komplekse që përfshin dashurinë, përkushtimin dhe identifikimin me vendin e lindjes. Në një kontekst poetik, atdhesia paraqitet si ndjenjë e natyrshme që lidhet me identitetin dhe historinë personale dhe kolektive. Poezitë shprehin dashurinë e thellë për vendin e lindjes, për natyrën e tij, historinë dhe traditën. Bie fjala, te poezia “Shtëpia e Lidhjes” poeti ligjëron për Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe kontekstin historik të kuvendit, që përqendrohet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimet e tyre mbi historinë dhe kulturën kombëtare, në raport me Konferencën e Shën Stefanit dhe barbarët. Simbolika dhe mesazhi për Qiriun e Naimit, përcjell dëshirën për ndihmë dhe për të ndriçuar zemrat dhe shpirtrat e nënave dhe popullit të përvuajtur (“Soneti i një nate të vonë”).

E thamë disa herë se nëpër poezi hasim elemente biografike të autorit. Më theksueshëm ky element del te poezia “Vargje autobiografike” ku kemi një reflektim personal për ndjenjat dhe përvojat në lidhje me identitetin dhe historinë. Përshkruan zbritjen “shkallëve të Butrintit” dhe ndjenjën e dhimbjes; e ngre këtë reflektim në një nivel historik dhe kulturor, duke theksuar se ndjenja e dhimbjes dhe identiteti i përjetshëm janë të lidhur ngushtë me vendin dhe historinë. Përmendja e shkallës së trembëdhjetë dhe ndjenja e dhimbjes pas saj, nënkupton një përballje me trauma ose sfida personale dhe kombëtare që janë të lidhura me të kaluarën dhe me identitetin kulturor. Të ndjeshme janë edhe poezitë përkushtimore për Migjenin e për vëllain Rexhepin.

 

  1. Dhimbja sociale dhe qëndrimi kritik ndaj kohës

 

Në ciklin e tretë “Shpjegim vetes” poezitë na vijnë më të nuancuara nga ana artistike, kurse rrezatimet e deve dhe mesazheve janë më depërtuese në botën e ekzistencës dhe qenes sonë. Kështu, te poezia e parë e këtij cikli “Koha ecën”, trajton ndryshimet e shpejta dhe ndonjëherë të dhimbshme që ndodhin në shoqëri për shkak të transformimeve teknologjike dhe politike. Poeti përdor frazeologjizma popullore për ta shprehur këtë kompleksitet fenomenesh: “Dever dynjaja e flisnin pleqtë dikur” – varg që sugjeron një periudhë të kaluar ku pleqtë ishin burim i mençurisë dhe i parashikimeve mbi të ardhmen; ose: “do të lëvrohet toka deri te brirët e Kaut të Zi” – poeti përshkruan përplasjet e përmbysjet që kanë ndodhur në shoqëri. Kurse vargjet “tru, sy e vesh / ia falëm udhëheqësve iluzionistë babëzi” – paraqet një gjendje të hipnotizuar dhe të varur nga liderët që ofrojnë iluzione dhe premtime të rreme, duke e bërë shoqërinë të ndjejë dhimbjen e humbjes dhe të pasigurisë. Tashmë poet zë e futet edhe në botën e tij të brendshme, si te poezia “Dëshirë”, ku shpreh një dëshirë për t’i kuptuar dhe vlerësuar fjalët dhe heshtjen në mënyrë më të thellë. “Edhe kur jam i vetmuar / farat e mollës / i ruaj në xhep” – reflekton poeti te poezia “Zakon”, ku premton se i ruan dhe mban me kujdes elementë të lidhur me natyrën dhe traditat, si një simbol i vlerave dhe ndjenjave që kanë rëndësi për ne. Herën tjetër a gjendet “Para pasqyrës” në një ballafaqim të brendshëm dhe me një reflektim personal përmes një pasqyre si simbol i vetë-analizës dhe identitetit. Pasqyra simbolizon përpjekjen për ta kuptuar dhe ndryshuar veten, e cila dështon në përpjekjen për të gjetur një identitet të ri ose për ta manipuluar atë. Këso vetë-kundrimesh ka edhe te poezia “Shpjegim vetes”. Më tutje na shfaqet një “Indiferencë”, poezi që trajton ndjenjat e largimit dhe izolimit nga dhimbjet dhe shqetësimet shoqërore.

Poeti e refuzon rolin e një vëzhguesi pasiv, duke theksuar se është aktiv në jetën e tij e jo vetëm të jetë një spektator. Poezia “Peizazh modern” shqyrton ndjesitë e ndryshimeve dhe sfidave në një botë të ndryshuar nga ideologjitë dhe demagogjitë.  Ai përshkruan një periudhë kur ëndrrat dhe idealet ishin të arritshme dhe të vendosura në rrugët e lirisë.  Si një kontrast me lirikat tjera, vjen poezia “Retrospektivë” ka përjetimet e ndarjes dhe ruajtjes së kujtimeve të fëmijërisë, pa u ndikuar nga hilet dhe mashtrimet e jetës.

“S’ka ikje pa llogari” është poezi, ku pesha e jetës dhe ndjekja e saj janë temat kryesore. Jeta është një rrjedhë e pandërprerë e ngjarjeve dhe përvojave që ndodhin pavarësisht nëse i vëmë veshin apo jo. Së këndejmi, poeti porosit: “Ta jetojmë kohën”. Koha ka ardhur dhe është ndryshe nga ajo që ishte më parë. Shprehet se duhet të largohemi nga mjegullnajat e së kaluarës dhe të pranojmë një realitet të ri, ku gjithçka është në ndryshim. Kritika ndaj modernizmit dhe ndjesitë estetike janë në qendër të poezisë “Modernizëm”. Modernizmi sjell një periudhë të re me shije dhe perceptime të ndryshme për jetën dhe estetikën. Babëzitë dhe teatrin publik shfaqen te poezia “Marrëzi”. Shpreh ironinë dhe zhgënjimin për udhëheqësit që shfaqen në podium dhe që, në vend që të ndihmojnë ose të ofrojnë diçka konstruktive, janë të përfshirë në performanca të kota.

Ka poezi tjera që kritikojnë sjelljen e individëve që i nënshtrohen pushtetit dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë integritetin e tyre për përfitime të vogla; poezi që trajtojnë egoizmin dhe vetëkënaqësinë, ku njeriu e harron realitetin dhe ndjenjat e të tjerëve, duke e parë veten si superior dhe të rëndësishëm, për ta shtruar së fundmi pyetjen “Deri kur?“ Përshkrimi i absurditetit dhe përpjekjet për pushtet lexohen te poezia “Cikël shkallëzimi”, e cila kritikon mënyrën se si individët bëhen pjesë e një cikli të vazhdueshëm të konkurrencës dhe ambicieve për pushtet, duke sakrifikuar integritetin dhe duke u bërë “butakë” në përpjekjen për të fituar favor të liderëve. Me një ton kritik dhe ironik, poezia i referohet absurditetit të kohës dhe mënyrës se si njerëzit e përfshirë në këso konkurrencash për pushtet, nuk arrijnë t’i realizojnë idealet dhe vlerat që janë thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. “Lehtë e gjej dhimbjen/ të përsëritur në tubimet politike” shprehet te poezia “Ndryshim i dukshëm” për pakënaqësinë dhe mosbesimin ndaj kohës. Te poezia “Kafshimi i gjuhës” folësi lirik shqipton kritikën ndaj liderëve që janë të lidhur ngushtë me kolltukun e pushtetit dhe nuk e ndiejnë rëndësinë e përmbushjes së detyrave për mirëqenien e shoqërisë. Ironia e përdorur në shprehjen “ende po hani molla në bërryl” sugjeron që, megjithatë, ata vazhdojnë të shijojnë privilegjet dhe ndiheshin të kënaqur në vend të përkushtimit të vërtetë për të mirën e përbashkët. Edhe te “Fjalëtërkuzë” ka një kaos dhe ngatërrim që ndodh kur fjalët janë të papërcaktuara ose të pasakta. Ky “lëmsh” i fjalëve e bën komunikimin të ngathtë dhe të pasigurt, duke e bërë atë të “gogël me vrimë krimbi,” një metaforë për diçka të brishtë dhe të pamundur për të ofruar një mbështetje të fortë. Këto poezi reflektojnë një ndjenjë të thellë të zhgënjimit dhe kritikës ndaj situatave politike dhe shoqërore. Po kështu, ato kritikojnë mungesën e vetëdijes dhe ndjeshmërisë për pasojat e veprimeve që ndodhin në nivele të ndryshme të shoqërisë dhe politikës.

Çfarë është dhimbja sociale?

Dhimbja sociale është një përkufizim që rrjedh nga poezitë e tilla që përshkruan ndjenjat dhe pasojat negative që ndodhin në një shoqëri për shkak të strukturave dhe praktikave të padrejta sociale dhe ekonomike. Kjo dhimbje lidhet me një sërë faktorësh që ndikojnë në individë dhe grupe të ndryshme, siç janë pabarazia dhe diskriminimi, varfëria, kriza dhe pasiguria sociale, situatat e krizës, margjinalizimi, kur njerëzit ndihen të përjashtuar ose të margjinalizuar nga shoqëria për shkak të statusit të tyre ose për shkak të veçantisë së tyre kulturore ose sociale.

Gusht 2024

E  në fund falënderimi i autorit, me disa fotografi familjare:

Sot realizova promovimin e librit tim të parë me poezi “Pesha e fjalës”.
Falënderoj përzemërsisht familjen time,recenzentin z.Prend Buzhala,SHKL “Tafil Kelmendi” me kryetar Fadil Javori si dhe lektorin Hamdi Mazreku, Shoqatën “Xheladin Gosturani” nga Tropoja dhe Krijuesit nga Dushkaja, Skënderaj dhe Theranda, po ashtu falënderoj të gjithë të tjerët që ishin të pranishëm në këtë ceremoni për librin i cili është një kontribut i imi shoqëror. Me këtë rast uroj dhe nga zemra gjithë kombin shqipëtar për festat e shumëfishta të muajit Nëntor!
P.s (për këdo që është i interesuar, më poshtë gjeni të bashkangjitur linkun e video inqizimit të plotë të përurimit të librit).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *