Gjashtë ushtarë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një helikopter ushtarak u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor në jugperëndim të Turqisë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se helikopteri UH-1 u aksidentua në provincën Isparta.
Bëhet e ditur se hetimet për rastin po vijojnë.
Një nga të vrarit besohet se ishte komandanti i Shkollës së Aviacionit Tokësor Isparta, Isa Baydilli.
“Dëshmorët tanë qofshin nën mëshirën e Zotit. Familjeve të tyre i shprehim ngushëllime, ndërsa ushtarit të lënduar shërim të shpejtë”, shtoi ajo.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pikërisht në zonën ku ka ndodhur aksidenti fatal janë edhe ushtarët e Ushtrisë së Kosovës duke ndjekur stërvitjen.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka shprehur tronditjen e tij pas përplasjes së helikopterëve ushtarakë në Turqi, ku vdiqën gjashtë ushtarë.
Ai ka thënë se pjesëtarët e FSK-së që janë atje duke ndjekur trajnimet, kanë qenë larg vendit të ngjarjes dhe janë mirë e të sigurt.
“Jashtëzakonisht i tronditur me lajmin e sotëm rreth aksidentit ajror me fatalitet që ka ndodhur në regjionin në Isparta ku Komanda e Shkollës së Aviacionit Tokësor të Ushtrisë Turke kryen trajnimet. Shprehi ngushëllimet e mija më të sinqerta autoriteteve shtetërore turke, ministrit Yaşar Güler, Forcave të Armatosura Turke dhe familjarëve të ushtarakëve të vdekur”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.