Rastet e ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve janë kthyer në një shqetësim të madh për shoqërinë kosovare. Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta, por që jo rrallë ka ndodhur që edhe djemtë e burrat të bien pre e ngjarjeve të tilla të trishta. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Ferizaj, për çka Policia dhe Prokurori i Shtetit tashmë kanë nisur hetimin.
Gazeta Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për dy djem 13-vjeçarë, që po dyshohet se janë sulmuar seksualisht nga dy persona, të moshës madhore, njëri prej të cilëve është identifikuar.
Rasti është denoncuar nga prindi i njërit prej të miturve, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se i biri dhe shoku i tij kanë qenë viktima të dy burrave që dyshohet se abuzuan me ta.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në orët e pasdites të së shtunës, ndërsa u raportua gjatë ditës së djeshme në Polici.
Siç thonë të njëjtat burime, babai që e denoncoi rastin, ka deklaruar se djali i tij fillimisht kishte shkuar te shoku, e bashkë me kanë dalë më pas në qytet, ku kanë hasur në dy të dyshuarit.
Gazeta Sinjali ka marrë vesh se bazuar në dëshminë e ankuesit, thuhet se ka dëgjuar se djali i tij është në lidhje dashurie me njërin prej të dyshuarve dhe kjo situatë e ka tmerruar.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është vënë në lëvizje dhe janë intervistuar dy fëmijët, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre para zyrtarëve policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimi është iniciuar dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarve dhe zbardhjen në plotni të rastit.