Një rast jo fort i zakontë është raportuar të hënën në Gjakovë, ku Policia ka prangosur dy persona, njërin për armë ilegale e tjetrin për pengim të zyrtarëve policorë. Arrestimi i tyre erdhi pasi Policia u alarmua me një thirrje, ku paralajmërohej një vrasje. Rasti po hetohet dhe tashmë janë zbuluar detajet.
Personat e dyshuar u arrestuan në rrugën “Lekë Dukagjini” dhe të dy janë dërguar në mbajtje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se rasti u zbulua pas një informate që mori Policia nga njëri prej të dyshuarve, i cili alarmoi – duke dhënë një paralajmërim të rrezikshëm se do ta vrasë një person.
Thirrja e tij çoi në këmbë Policinë dhe menjëherë u ndërmorën veprimet e nevojshme, ku si rezultat patrulla policore arriti në vendin e ngjarjes.
I dyshuari kryesor është kapur, por që zyrtarët policorë hasën në pengesa, pasi një familjar i të dyshuarit i pengoi për ta arrestuar.
Bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë kanë qenë në gjendje të dehur.
Në vendngjarjes, njësia policore ka arritur që të gjejë një armë, boks hekuri e thikë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit ndaj dy të dyshuarve dhe masën e ndalimit policor për 48 orë, për veprat “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa paautorizuar të armeve” dhe “Pengim i personit zyrtar gjate kryerjes se detyrave zyrtare”.