Ajo që u mendua si vdekje aksidentale, del të ketë qenë vrasje në fillim të këtij muaji në qytetin e Durrësit.

Shtetasi H. Sh., banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 04.12.2024, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej datës 02.12.2024, djali i tij shtetasi B. Sh., 33 vjeç, ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me të.

Shërbimet e Policisë kryen kontrolle intensive dhe më datën 05.12.2024, kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit H.B.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore u dokumentua me prova shkencore se shtetasi M. H., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më datë 02.12.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin B. Sh, i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, pas një pune intensive hetimore të bëra në lidhje me denoncimin bërë nga një shtetas prej nga u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të vrasjes së shtetasit B. Sh., 33 vjeç.

Gazeta Shqip ka zbardhur dëshminë e autorit të vrasjes së 33-vjeçarit në Durrës dhe identitetin e plotë të të përfshirëve. Majlind Habibi, autor i vrasjes ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur pasi viktima Branko Shkoza i kishte ngacmuar gruan dhe e kishte ofenduar.

Ai ka thënë se e kishte shtyrë në kanal dhe më pas ishte larguar nga aty. Habibi ka thënë më tej se pasi ka marrë vesh se shoku i tij nuk kishte shkuar në shpi, ka shkuar sërish në vendin e ngjarjes dhe ka parë trupin e spostuar nga aty ku kishte rënë. Ai ka deklaruar se ishte penduar për krimin e kryer.

“Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte bashkëshorten. Ai mu përgjigj shumë keq, më ofendoi. Me tha “shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote”. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lash aty. Nuk mendova se kishte vdekur, thash me vete se do ngrihet prap se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi. Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm dhe pash që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca thash nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë.”, raportohet se ka deklaruar autori para hetuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *