Trupi i pajetë i Branko Shkozës, 33 vjeç, u gjet më 5 dhjetor në një kanal në zonën e Spitallës në Durrës, pasi ishte shtyrë aty nga shoku i tij, Majlind Habibi. Policia e Durrësit arrestoi autorin ditën e djeshme pas hetimeve që zbuluan krimin.

Majlind Habibi ka pranuar në polici se konflikti që çoi në tragjedi kishte lindur pasi viktima, sipas tij, i ngacmonte gruan. Ngjarja ndodhi më 2 dhjetor, kur autori e shtyu në kanal shokun e tij gjatë një zënke dhe më pas u largua, duke menduar se kanali ishte i cekët.

Ditën tjetër, pasi mori vesh se Shkoza nuk ishte kthyer në shtëpi, Habibi u kthye në vendin e ngjarjes dhe zbuloi trupin e pajetë, por nuk raportoi krimin. Pas denoncimit të bërë nga babai i viktimës, policia arriti të zbulojë të vërtetën dhe të arrestojë autorin.

Ngjarja ka tronditur komunitetin, duke lënë një familje në zi dhe ngritur pyetje mbi dinamikën tragjike që çoi në këtë akt të rëndë. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Ndërkohë pas zbardhjes së ngjarjes tragjike në Spitallë të Durrësit, tensionet mes familjeve Shkoza dhe Brako janë përshkallëzuar, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë për të shmangur përplasjet mes tyre.

Po ashtu babai bëri thirrje që policia e shtetit të tregojë kujdes të shtuar për këtë ngjarje, pasi para banesës së tij kalojnë familjarët e autorit, dhe ai frikësohet për ndonjë reagim në mëri e sipër të djemve të tij të tjerë.

“E pyeta autorin, ‘ka humb djali’, më pa shtrembër dhe iku, kisha katër ditë që kërkoja çunin, i kam rënë telefonit disa herë ndërkohë që zija i binte po nuk e hapte. Kemi kërkuar me efektivët ditë e natë ndërkohë që  e kemi gjetur 11 metra larg shtëpisë. Ai deklaroi se e ka hedhur nga ura, po aty nuk ka më shumë se një metër ujë dhe nuk mund të mbytet. Pinte pak çuni, por nuk ka mundësi t’i jepte fund jetës, sepse distanca nga ura dhe vendi ku u gjet është shumë larg. Ai ka qenë duke pirë me disa persona para ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk dinë gjë. Kam frikë se  çunat janë të nervozuar nga situata, kërkoj që policia të na qëndrojë afër sepse familjarët e autorit kalojnë para banesës sonë. E kam takuar autorin dhe e kam pyetur, se ata rrinin bashkë prej katër vitesh dhe më ka thënë është trembur, është larguar.  Ndërkohë që kërkoja djalin ata bënin sikur nuk dinin asgjë, ndërkohë që ata e dinin. Një nga çunat e lagjes i kishte thënë shokut të babait të viktimës ‘kam katër ditë që nuk ha bukë dhe dua të tregoj të vërtetën se kush e vrau’”, ka deklaruar babai i viktimës.

Babai shprehet se dyshimet se djalin mund ta kishte vrarë shoku i tij, i lindën pasi kishte parë lëvizje të dyshimta prej tij.

“E ftova pas varrimit të vinte për drekën e vdekjes, por nuk erdhi”, ka deklaruar ai.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *