Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pasi ai javën që shkoi ndërpreu të enjten në mbrëmje një seancë parlamentare për të pamundësuar pjesëmarrjen e deputetëve serb nga Lista Serbe.

Hovenier e quajti veprimin e Konjufcës “për të ardhur keq”.

“Më lejoni që të flas shumë shkurt për situatën në Kuvend javën e shkuar. Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre.”, u shpreh Hovenier në ATV.

Ai po ashtu kritikoi edhe deputetët e Listës Serbe.

“Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta. Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq.”, tha ambasadori Hovenier.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *