“Meqenëse ndodhemi këtu në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, le t’ia fillojmë me paralajmërimin tonë që në kuadër të renovimit të të gjitha kinemave anembanë Kosovës do ta bëjmë këtë edhe te kinemaja juaj këtu, ‘Jusuf Gërvalla’, me ç’rast kemi ndarë 1.4 milionë euro për renovimin e kësaj kinemaje dhe ky renovim jetësohet sivjet”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Por, në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti kinemaja “Jusuf Gërvalla” nuk figuron fare si projekt i veçantë.
E, te projektet kapitale të Ministrisë së Kulturës figuron “Revitalizimi i kinemave publike në regjionin e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës”.
Për të tria regjionet për këtë vit janë paraparë 500 mijë euro.
Përderisa kryeministri Albin Kurti flet për mjetet e ndara për këtë projekt, Ligji mbi ndarjet buxhetore të këtij viti tregon shifra krejt të tjera. E Ministria e Kulturës zotohet se mjetet mund të shtohen, por pa treguar se cilave projekte do t’u “digjet” buxheti për të mbuluar atë të kinemasë së qytetit perëndimor dhe për ta jetësuar premtimin e kryeministrit.
Midis ovacionesh është pritur në Pejë kryeministri Albin Kurti të hënën mbrëma bashkë me një pjesë të kabinetit të tij qeveritar. Pak pasi kanë pushuar ovacionet e thirrjet e emrit të tij, bashkë me ndonjë zë “baba këtu”, shefi i ekzekutivit së pari ka folur për renovimin e Kinemasë.
Por në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti kinemaja “Jusuf Gërvalla” nuk figuron fare si projekt i veçantë.
Te projektet kapitale të Ministrisë së Kulturës figuron “Revitalizimi i kinemave publike në regjionin e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës”.
Për tri regjionet për këtë vit janë paraparë 500 mijë euro. Madje nuk janë ndarë, por janë bartur nga viti i kaluar. Për vitin 2026 janë paraparë edhe 500 mijë të tjera, kurse për vitin 2027 një milion. Sipas planifikimit zyrtar, shteti deri më 2027 synon të shpenzojë 2 milionë euro për kinematë e të tria qyteteve. Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Kulturës.
“Kur hapet procedura, disponueshmëria e mjeteve merret me periudhë 3-vjeçare, të gjitha sa janë të planifikuara sipas Ligjit të buxhetit të sivjetmë. Në kodin kapital të MKRS-së janë të ndara 2 milionë për rrjetin e kinemave. 2025: 500,000; 2026: 500,000; 2027: 1,000,000”, shkruhet në përgjigje.
Kurse në pyetjen nëse rinovimi do të zgjasë tre vjet, MKRS-ja tregon se mund të përfundojë edhe brenda vitit, megjithëse pritet që renovimi të kushtojë 1.4 milionë euro.
Por në pyetjen e KOHËS se ku ose nga cili projekt do të merren mjetet që të shtohet buxheti për kinemanë “Jusuf Gërvalla”, MKRS-ja nuk është përgjigjur.
Ministria e Kulturës njihet për realizim të dobët të projekteve kapitale. E pos kësaj edhe për bartje të mjeteve nga një projekt tek tjetri. Për planifikim të dobët kritikohet çdo vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Njëjtë planifikohet të veprohet edhe me projektin e kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Ky projekt aktualisht është në shqyrtim në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Duhet të miratohet pasi kinemaja është monument në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Vlera e implementimit të projektit pritet të jetë 1.4 milionë euro.
KOHA nga dy burime brenda MKRS-së ka marrë vesh se varësisht nga punimet që do të zhvillohen në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, do të lëvizin edhe mjetet nga projekte të tjera.
“Plani është që proceduara e prokurimit për kompaninë punëkryerëse të hapet menjëherë pas miratimit të projektit. Nëse punimet përfundojnë brenda këtij viti ose këtë vit punohet më shumë sesa kemi paraparë me Ligjin mbi ndarjet buxhetore, atëherë shfrytëzojmë mjete nga projektet e tjera, të cilat nuk ecin”, ka thënë njëri burim. Ngjashëm ka treguar edhe tjetri.
Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë menaxhohet nga organizata “Anibar”, e cila e organizon edhe festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”. Vullnet Sanaja, i cili e udhëheq organizatën, ka treguar se kanë qenë të përfshirë në projektimin e renovimit duke paraqitur kërkesat e bazuara në nevojat e ndërtesës për funksionim sa më të mirë.
“Digjitalizimi i kinemasë, përshtatja e hapësirave në raport me nevojat për audiencën, nyjat sanitare, kulmi po ashtu, kanë nevojë për ndërhyrje. Duhet bërë blerja e projektorit për t’i shfaqur filmat e fundit”, ka thënë Sanaja. Ka shtuar se kanë frikë që procedurat mund të marrin kohë e si pasojë edhe të vonohen punimet.
“Për ne intervenimi është i mirëseardhur vetëm shpresojmë që procedurat të mos marrin shumë kohë”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të ofruara nga “Anibar”, kinemaja “Jusuf Gërvalla” në ish-Jugosllavi është njohur si “Kino Rad” (Kinemaja e Punëtorëve) dhe u ndërtua më 1955 me para të sindikatave të punëtorëve. Kinemaja ishte ndërmarrje për shfaqjen e filmave nën atë që quhej Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit për Kulturën.
“Ndërtesa e kinemasë përfshin një sipërfaqe prej 731 metrash katrorë dhe ndahet në disa gjëra duke përfshirë: sallën kryesore, dhomën e proksionimit, ballkoni në katin e dytë, disa zbulime të zyrave, hollet dhe tualetet”, shkruan në të dhënat e “Anibarit” . Aty sqarohet se në vitin 2016 Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur objektet dhe të gjitha asetet e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në listën e objekteve për privatizim.
Kundërshtimi i këtij procesi nga “Anibari”, si dhe bashkëpunimi me komunitetin lokal e me Rrjetin e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, ku u bashkuan 80 organizata joqeveritare të tjera gjithandej, kishin bërë që ky proces të suspendohej. Sipas “Anibarit”, kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar në qendër socio-kulturore dhe ka programe aktive javore.