Komentatori i njohur kosovar i sportit, Andin Lokaj shpërtheu ditën e djeshme në fyerje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, përpara fillimit të ndeshjes Juventus – Inter të cilën po bëhej gati ta komentonte.
Me të shfaqur skenat nga stadiumi “Allianz” në ekran, Lokaj harroi sportin për një moment, për të goditur Kurtin, duke quajtur atë si “hajvani më i madh në histori të njerëzimit”.
Këto deklarata bënë që komentatori të largohet nga komentimi pas pjesës së parë, dhe të zëvendësohej me Arbon Flugaj, i cili vazhdoi komentimin në 45-minutëshin e dytë.
E komentatori Andin Lokaj duket se nuk ka shprehur ndonjë pendesë lidhur me ato deklarata, pasi sipas tij këtë ai e kishte planifikuar.
“Dua ta sqaroj opinionin se ajo qe ka ndodhur mbrëmë e kam pasur të planifikuar menjëherë pas zgjedhjeve, por e lash dhuratë për ditën tonë të shenjtë të Pavarësisë”, ka thënë Lokaj për Nacionalen.
Lokaj ka thënë se fjalët e tij ishin mesazh kundër autokracisë.
“Shpresoj që edhe kolegët e mi komentator të rajonit ta marrin këtë mesazh seriozisht ngase është mesazh kundër autokracisë”, ka thënë Lokaj.
Ndërkohë, Art Motion doli me deklaratë pas përfundimit të asaj ndeshje, duke i kërkuar falje opinionit, teksa shtoi se ka inicuar procedurë ligjore ndaj tij.